FOTO ILUSTRIM: Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Nënat në Shënjestër

Dy të arrestuar për raste të dhunës në familje janë regjistruar dje në raportin policor, njëri në Prishtinë e tjetri në Mitrovicë. Në të dy incidentet viktimat e sulmuara kanë qenë nënat e të arrestuarve.

Në Mitrovicë, sipas raportit policor, dje rreth orës pesë në mbrëmje është arrestuar një person i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale me nënën e tij kishte tentuar që t’i vinte zjarrin shtëpisë së tyre.

Se si ka ardhur mosmarrëveshja mes nënës dhe të birit, nuk janë dhënë detaje të mëtutjeshme, por rasti ishte paraqitur në polici nga nëna e të dyshuarit.

Ndërsa në Prishtinë në orët e mëngjesit ka ndodhur edhe një akt tjetër i dhunës në familje.

Në këtë rast, sipas Policisë, viktima e dytë është sulmuar me thikë nga djali i saj.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor në QKUK, njofton policia.

Të dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor.