Kolegët presin kthimin e komandantit të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi - Foto: KALLXO.com

Nehat Thaçi Kthehet në Shtëpi

Drejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës Jugore, Nehat Thaçi, është kthyer në shtëpinë e tij në Lipjan. Atë e kanë pritur shumë kolegë nga policia e Mitrovicës, miq, të afërm dhe anëtarët e ansamblit të këngëve dhe valleve “Mitrovica”.

Thaçi është liruar sot nga paraburgimi në Serbi.

Para të pranishmëve dhe mediave Nehat Thaçi tha se gjatë qëndrimit në burg është trajtuar mirë dhe se është krenar që është shqiptar i Kosovës.

Në pyetjen e KALLXO se në çfarë kushtesh është liruar dhe a kanë përfunduar hetimet ndaj tij, Thaçi tha se është liruar për shkak se prokurori ka hequr dorë nga ndjekja ndaj tij, ndërkaq nuk ka pasur kurrëfarë hetimesh dhe se të gjitha kanë qenë shpifje.

Drejtori i Policisë ka treguar se në momentin e arrestimit ka qenë duke shkuar te vëllai në Zvicër.A

Ai ka falënderuar shtetin e Kosovës dhe gjithë të tjerët për mbështetjen që ia kanë dhënë gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim në Serbi. Thaçi falënderoi edhe kolegët, familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që sonte ishin mbledhur për ta pritur te shtëpia e tij në Lipjan.

Autoritetet serbe e kishin arrestuar atë pasi kishte kaluar në territorin e Serbisë te pika kufitare Dheu i Bardhë.

Nehat Thaçi dyshohej për krime lufte.

Sipas autoriteteve serbe, Thaçi dyshohej se me një granatë dore e kishte kërcënuar një familje serbe në Lipjan, duke e detyruar të largohej nga shtëpia dhe ta lëshonte Kosovën.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth rastit të arrestimit nga autoritetet serbe të drejtorit të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçit. Raportet mund t’i gjeni duke klikuar këtu.

http://kallxo.com/thaci-pritet-valle-ne-shtepi/