Kurti flet për lirimin e të dyshuarve për sulm ndaj gazetarëve në veri: Nuk jam i kënaqur me prokurorinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar lirimin nga paraburgimi të disa prej të dyshuarve për sulmet ndaj gazetarëve në veri dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

Kurti në mes tjerash tha se nuk i di detajet e lirimit të tyre.

Së fundmi, disa nga të arrestuarit për sulm mbi gazetarët gjatë protestave në veri të vendit, u liruan për tu mbrojtur në liri.

“Sa i përket lirimit të të pandehurave që janë mbajtur në paraburgim, e disa janë liruar në arrest shtëpiak, unë nuk i kam parasysh hollësitë e lëndëve të veçanta, e as detajet se qysh është marrë vendimi i tillë” – tha Kurti.

“Ju e dini se në përgjithësi unë me prokurorinë nuk jam i kënaqur. Besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant, po ashtu nga numri i madh i informacionit dhe kallëzimeve penale, e denoncimeve që kanë marrë nga të gjitha institucionet e shtetit është shumë i madh numri i lëndëve që kanë shpejtësi të ulët ose ngecje të plotë. Po ashtu nuk mund të them që kam bindjen për korrektësi të duhur sa i përket përzgjedhjes së lëndëve që bëhen, por këto janë përshtypjet e mija” – ka vlerësuar kryeministri, Albin Kurti.

Përgjigje, për lirimet, Kurti ka thënë se duhet të kërkohet në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Unë besoj që ata duhet të japin përgjigje se si bëhet që dikush qëndron në paraburgim për muaj të tërë e dikush as një muaj ose as 3 muaj, siç zakonisht bëhet vazhdimi i paraburgimit. Unë nuk jam i bindur për korrektësinë, mirëpo megjithatë vendimi meritor ka të bëjë me hollësitë e çështjes, për të cilët duhet ata në KPK të iu përgjigjen, sepse duhet t’i japin llogari publikut” – tha ai.