Cili është arsyetimi i Prokurorisë për lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi?

Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se kërkesën për zëvëndësim të masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit, e bëri duke u bazuar në aspektin shëndetësor e human.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria njofton se edhe pse ka ekzistuar një vendim i Gjykatës për caktim të paraburgimit ndaj të pandehurit Pantiq, ai asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim.

Prokuroria me njoftim, gjithashtu thekson se kjo kërkesë erdhi si rrjedhojë e konstatimit të gjendjes jo të mirë shëndetësore nga ana e ekipit mjekësor të EULEX-it, të cilët kishin rekomanduar trajtim në qendër spitalore.

“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua” – thuhet në njoftim.

 

Lirimi i Pantiqit nga paraburgimi në arrest shtëpiak erdhi pas kërkesës së Prokurorisë

 

Vendimin për ndërrimin e masës ndaj Pantiqit e komentoi edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti tha se është “kureshtar të dijë se cili prokurorë kërkoi arrestin shtëpiak të Pantiq dhe cili gjqytar e aprovoi”.

Ky deklarim shkaktoi reagim nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët thanë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi nga Prokuroria Speciale se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të vitit 2022 që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq mund t’i lexoni në këtë LINK.