Në Prizren nis Panairi i Librit

Në Prizren sonte ka filluar edicioni i dhjetë i Panairit të Librit, i cili do të zgjasë deri më 22 korrik.

Ditar Kabashi, përgjegjës i programin artistik, tregoi për KALLXO.com detaje të organizimit të edicionit jubilar të Panairit.

“Edicioni i dhjetë i Panairit të Librit po organizohet në Prizren. Organizator i panairit është organizata joqeveritare Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale (IKKS). Ky edicion i panairit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit”, tha ai.

Në Panair do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ku lexuesit prizrenas apo edhe mysafirët do të kenë mundësi të gjejnë literaturë të ndryshme.

Kabashi tregoi edhe për programet letrare që do të organizohen gjatë këtij edicioni.

“Përveç shtëpive botuese që do të marrin pjesë, ne në secilën mbrëmje kemi edhe programe letrare nga Kosova dhe jashtë saj. E nga tetë programe janë me autorë shqiptarë, një program do të jetë me antologjinë gorane nga disa poetë goranë dhe një program do të jetë në gjuhën turke me një romancier nga Turqia dhe secili nga këto programe do të ketë përkthim shqip në mënyrë që ta plotësojmë mozaikun kulturor që e ka Prizreni”, theksoi Ditar Kabashi për KALLXO.com.

Këto programe do të mbahen te platoja në mes të Urës së Gurit dhe Urës së Arastës në mënyrë që dashamirët e librit të mund të vijnë dhe të takohen me shkrimtarët në ambient të hapur, shtoi ai.

Gjithashtu Kabashi tha se këtë vit pritet numër më i madh i vizitorëve pasi që panairi këtë vit po organizohet në kohën kur Prizreni ka vlugun më të madh të vizitorëve.

“Panairi i Librit në Prizren dy vitet e kaluara është organizuar në mes të gushtit, por kemi parë se është muaj i vonshëm për vizitorë, andaj këtë vit kemi vendosur ta organizojmë më herët që të ketë më shumë qarkullim të shtëpive botuese dhe vizitorëve për shkak se në qytetin e Prizrenit ka filluar vlugu i vizitorëve”, tha Kabashi.