Në Mitrovicë nis ndërtimi i konviktit dhe mensës së studentëve

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për ndërtimin e konviktit dhe mensës së studentëve në kampusin e këtij universiteti.

Sipas tyre, këto dy projekte kapin shumën prej gjashtë milionë eurove dhe do të financohen nga Ministria e Administratës Publike.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, sot ka vizituar punishten ku tashmë kanë filluar të ndërtohen këto objekte, e që sipas tij, këto investime do ta bëjnë kampusin universitar në Mitrovicë, ndër më të mirët në rajon.

“Pas ndërtimit të objekteve për fakultete dhe rektoratit, tash ka filluar të ndërtohet konvikti dhe mensa dhe së shpejti edhe fushat e sportit, me çka merr formën përfundimtare kampusi i ri universitar në Mitrovicë”, ka thënë Musaj.

Në njoftimin e UMIB-it thuhet se konvikti planifikohet të ketë 270 shtretër dhe se pritet që të përfundohen për dy vite.

Ndërkohë që kanë bërë të ditur se këto punime janë duke u kryer nga kompania Acg – Ada – Consulting Group SHPK.