Foto: Universiteti i Mitrovicës

Merita Shala zgjidhet rektore e Universitetit të Mitrovicës

Merita Shala është rektorja e re e zgjedhur në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Shala pritet të marrë detyrën zyrtare më 1 tetor 2023.

“Këshilli Drejtues në mbledhjen e sotme të mbajtur më 24 Korrik 2023 ka zgjedhur prof.asoc.dr. Merita Shala për rektore të ardhshme të UIBM-së në mandatin e ardhshëm 2023/2027” – njofton Universiteti i Mitrovicës.

Sipas njoftimit, Shala është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit dhe në të kaluarën ka mbajtur pozitën e prorektores dhe dekanes në po këtë universitet.

“Gjatë mandatit të fundit ka udhëhequr dy herë me radhë procesin e akreditimit institucional me ç’rast për dy herë me radhë UIBM është riakredituar me shumë sukses” – thuhet nw njoftim.

Rektorja e re, Shala është zotuar për zhvillimin e kurrikulave dhe programeve të reja që do të jenë unike.

Synime të tjera të saj janë lidhja e universitetit me industrinë, parandalimin dhe sanksionimin e konfliktit të interesit, plagjiaturës dhe forcimin e integritetit akademik.

Merita Shala ka të kryera dy doktorata dhe mbanë titullin e profesorit të asociuar në Universitetin e Mitrovicës.

Rektor aktual është Alush Musaj, i cili ka udhëhequr këtë institucion që nga themelimi.