Universiteti i Mitrovicës

Nurten Deva zgjidhet rektore e Universitetit të Mitrovicë

Nurten Deva është zgjedhur rektorja e re e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, e cila deri më tani ka qenë ushtruese e detyrës të këtij posti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se Deva është zgjedhur nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur dje, më 22.03.2024.

“Prof.Dr. Deva, punon si mësimdhënëse në Fakultetin e Gjeoshkencave në UIBM. Përveç si mësimdhënëse ajo ka mbajtur edhe pozita të ndryshme në kuadër të UIBM. Ka qenë anëtare e KD-së dhe së fundi ushtruese e detyrës së rektores” – ka shkruar Nagavci.

Deva e cila do të ketë mandat tre vjeçar, sipas Ministres ka doktoruar në Shkenca Teknike të Metalurgjisë në Universitetin e Prishtinës, ka një numër të madh të punimeve shkencore dhe njeh tri gjuhë të huaja.

Nagavci i ka uruar suksese rektores së sapozgjedhur dhe e ka siguruar se do të ketë përkrahjen e tyre për projekte në funksion të zhvillimit të universitetit.

“Falënderoj anëtarët e Këshillit Drejtues për punën e tyre dhe presim angazhimin e përbashkët të të gjithëve në ngritjen e cilësisë dhe përmirësimin e performancës në këtë universitet” – ka shkruar ajo.

Universiteti i Mitrovicës ka njoftuar se në garë për rektor kanë qenë edhe tre kandidatë të tjerë: Ejup Fejza, i cili nuk ka marrë pjesë në intervistë, Izet Zeqiri dhe Naser Pajaziti.