Gjykimi i Ismet Halitit dhe Skender Canollit - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës dëshmon qytetari që u ankua për ndërtimin pa leje

Në gjykimin ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Emin Baholli.

Dëshmitari Baholli ka deklaruar se i akuzuari Ismet Haliti nuk ka qenë shef i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, në kohën kur ai ishte ankuar përmes telefonit për objektin pa leje në lagjen “Nazim Gafurri”, në Prishtinë.

Ku për shkak të mosrrënimit të këtij objekti, tani po akuzohen ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, Haliti dhe Canolli.

Sipas tij, në atë kohë drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka qenë Muhamet Gashi, ish-zëdhënës i kësaj Komune.

“Kur u rrëzua ai objekt, zëdhënësi i Komunës ka qenë Muhamet Gashi, direkt aty përmes televizionit dhe ka thënë ky objekt nuk do të ndërtohet, e kam dëgjuar vet deklarimin e tij”, ka thënë dëshmitari Baholli.

Prokurori Rafet Halimi e ka pyetur dëshmitarin se si e di që nuk kishte qenë shef Ismet Haliti, përderisa nuk ka qenë në Komunë për t’u ankuar, por ishe ankuar vetëm përmes telefonit?

“Atë kohë ka qenë drejtor Muhamet Gashi, unë e di që i kanë bërë ndryshimet në Komunë, por nuk i kam njohur, e di që Gashi ka qenë drejtor i Inspeksionit, në zyrën e Kadastrit të Komunës, qaty e ka pasë zyrën, atëherë kur e kam lajmëruar objektin”, tha dëshmitari.

Më tutje dëshmitari në pyetjet e prokurorit Halimi tha se nga personi që e kishte blerë banesën, ai i kishte thënë se nuk ndërtohet objekt aty para banesës së tij, pasi nuk lejon Komuna sepse nuk ka vend. Sipas tij nuk ka kaluar një vit dhe e kanë prishur atë objekt ku edhe kishte filluar objekti i ri.

Dëshmitari tregoi se ishte ankuar  disa herë në Komunë dhe se e kishte thirrur Inspeksionin Komunal për faktin se ky objekt që ndërtohej e ndalte dritën në objektin ku e kisha blerë banesën sepse ishte ngjitur për të.

Kurse për dy të akuzuarit dëshmitari tha se ishte hera e dytë që i sheh dhe atë vetëm në këtë gjykim.

“Sa i përket këtyre dy njerëzve është e dyta herë që po i shoh, nuk kam vërejtje ndaj tyre, nuk mundem me i denoncu këta”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet më  3 prill.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, në bashkëkryerje kanë keqpërdoruar detyrat e tyre zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Ismet Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe  Skender Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Habib Vllasaliut.

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.