Gjykimi i ish-inspektorëve | Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja Tregon Çfarë i tha Isa Mustafa

Pllana tha se dyshimet për falsifikim të kësaj lejeje ia paraqiti Mustafës kur po kryente punë provuese si inspektore në Komunën e Prishtinës në vitin 2010, ndërsa Kryeministri aktual atëherë ishte kryetar i Prishtinës.

“Merrem unë me këtë punë, nuk është çështje juaja,” i kishte thënë asaj Mustafa.

Dëshmitarja Pllana më tutje tregoi se për dyshimet e saj në lidhje me këtë leje të ndërtimit shkroi edhe një letër interne, për të cilën tha se u fye nga ish-shefi i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës Ismet Haliti.

“Ai ma shajti burrin dhe mua,” tha dëshmitarja Pllana për Ismet Halitin, pasi letra për dyshimet e saj u bë publike.

Ismet Haliti është njëri nga dhjetë ish-zyrtarët e akuzuar të Komunës së Prishtinës.

Dëshmitarja më tutje tha se lënda për të cilën ajo dyshonte, i ishte marrë nga Ismet Haliti, për t’iu kthyer përsëri pas katër ditësh.

Zyhrije Pllana tha se u suspendua zyrtarisht nga puna prej shefit të saj Ismet Haliti për shkak të letrës interne që shkroi, por tha se jozyrtarisht e mori vesh se suspendimin e saj e kishte bërë Isa Mustafa, ngase letra interne ishte botuar në medie.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.