Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Deshishku e Pacolli Dëshmojnë në Gjyqin e Ish-Inspektorëve

I ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga prokurorja Drita Hajdari, Hashim Deshishku u pyet lidhur me objektin e ndërtuar nga kompania e tij në lagjen Tophane, në Prishtinë.

Deshishku tregoi se nuk kishte qenë i pajisur me leje të ndërtimit kur ka filluar procedurën e gërmimit të dheut, mirëpo kishte qenë në procedurë të pajisjes.

I pyetur nga prokurorja Hajdari se a i kishte vizituar ndokush nga Inspektorati komunal i Prishtinës gjatë periudhës së gërmimit, dëshmitari tha se nuk është në dijeni nëse një gjë e tillë kishte ndodhur pasi që punët ndërtimore i kishte udhëhequr dikush tjetër.

“Besoj se ka pasur vizita, por në atë kohë isha deputet dhe punët ndërtimore i ka udhëhequr tjetërkush”, u përgjigj Hashim Deshishku.

Për ndërtimin e këtij objekti, Deshishku deklaroi se ishte pajisur me leje ndërtimi pas një viti që ka filluar ndërtimin, kur tashmë ishte ndërtuar kati i pestë, rreth vitit 2011-2012.

Ndërkaq, prokurorja Hajdari e pyeti se a jeni në dijeni se pa pajisjen me leje nuk mund të fillojë ndërtimi, Deshishku deklaroi se nuk ka qenë në dijeni, por i ka plotësuar të gjitha kushtet urbanistike, përfshirë këtu edhe një pjesë të pagesës.

“Nuk kam qenë në dijeni. Kam menduar se me plotësimin e kushteve urbanistike dhe një pjese të pagesës mund të filloj ndërtimin”, tha dëshmitari.

Përveç kësaj, Deshishku theksoi se nuk ka kontaktuar asnjëherë me ndonjërin nga inspektorët apo kryeshefin e Inspektoratit Komunal.

http://kallxo.com/prokurororja-hajdari-krahason-ndertimet-pa-leje-me-demet-e-luftes/

Prokuroria speciale në cilësinë e dëshmitarit ka propozuar edhe Islam Pacollin, i cili ishte i pranishëm sot në gjykatore.

Dëshmitari Islam Pacolli kishte punuar si drejtor në “Mabetex Holding” gjatë kohës që ishte ndërtuar objekti i kësaj kompanie në fshatin Hajvali rreth vitit 2013. Objekti në fjalë përbëhej prej tri banesave.

Në pyetjen e prokurores Drita Hajdari se a posedonin leje për ndërtimin e atij plani, dëshmitari Pacolli deklaroi se fillimisht kishin filluar përgatitjen për ndërtimin e objektit, e në ndërkohë ishin pajisur me leje.

“Ne kemi filluar përgatitjen e pastaj ka ardhur vendimi. Ne kemi filluar përgatitjet për një objekt si tërësi dhe me përgatitje nënkuptoj heqjen e dheut dhe pastrimi i terrenit”, tha dëshmitari Pacolli.

Më tutje, ai deklaroi se ishin pajisur me leje gjatë kohës që kishin qenë duke pastruar për lamellën e dytë, pra, para se të fillonin pastrimin e lamellës së tretë. Dëshmitari theksoi se gjatë kësaj periudhe ishin vizituar nga inspektorët e ndërtimit dhe të njëjtit kishin lënë një njoftim për t’u paraqitur në Drejtorinë e Inspektoratit.

Në Drejtori të Inspektoriatit ishte lajmëruar shefi i objektit dhe dëshmitari tha se nuk kishin diskutuar lidhur me përmbajtjen e bisedës.

Dëshmitar në seancën gjyqësore kundër ish-inspektorëve të ndërtimit të Komunës së Prishtinës ishte edhe pronari i “Batusha Construction”, Kadri Batusha.

Dëshmitari Batusha u mor në pyetje lidhur me ndërtesat e ndërtuara në rrugën “Shpëtim Robaj”, në Sofali të Prishtinës.

Ndërtimin e këtij objekti dëshmitari deklaroi se e kishte filluar rreth vitit 2001 dhe se edhe sot e kësaj dite objekti i fundit i paraparë me plan është në ndërtim e sipër.

Dëshmitari Batusha potencoi se në atë kohë nuk kishte qenë i pajisur me leje ndërtimi, por më formimin e institucioneve komunale dhe me ligj të ri, ka paraqitur kërkesën dhe pret nga Komuna që të dalë në terren dhe ta verifikojë terrenin.

Prokurorja Hajdari e pyeti dëshmitarin Batusha se gjatë ndërtimit të objekteve a i kanë vizituar ndonjëherë inspektorët komunalë të ndërtimit.

“Gjatë ndërtimit të këtyre objekteve a kanë dalë në tërren ndonjëherë inspektorët komunalë të ndërtimit?”, ishte pyetja e prokurores Hajdari.

Ndërkaq, dëshmitari Batusha pohoi që inspektorët kanë dalë në terren dhe shprehi keqardhje për mosbindje, pasi që sa herë që kanë tentuar t’ia ndërprejnë punimet, dëshmitari ka vepruar të kundërtën dhe gjithmonë i ka vazhduar punimet.

“Në objektin e parë jo, në objektet e tjera të mëvonshme kanë dalë. Njëkohësisht ka dalë edhe ish-kryetari i Komunës, sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Mirëpo, kam qenë i detyruar, dashtë e pa dashtë, të vazhdoj punën për shkak se është dashtë të hyjnë banorët. Sa i përket inpektorëve duhet të jem shumë i sinqertë se inspektorët na kanë ndaluar punën, ne kemi vazhduar dhe betohem se asnjë cent nuk ia kam dhënë asnjë personit zyrtar të Inspektoratit. U kërkoj falje publikisht se disa herë kanë ardhur, jam në gjendje çdo pasojë me e bartë në mënyrë që t’ua lehtësoj dënimin. Të njëjtit nuk kanë pasur fuqi t’i ndërprejnë punimet, as tek unë, as tek ndokush tjetër”, theksoi dëshmitari Batusha.

Më tutje, dëshmitari Batusha deklaroi se objekti iu kishte rrënuar rreth vitit 2006-2007.

Në pyetjen e prokurores se kush kishte qenë inspektor në atë kohë, dëshmitari bëri me shenjë më dorë në drejtim të të akuzuarve Ismet Haliti, Blerim Ibishi dhe disa të tjerëve.

Të gjithë të akuzuarit në këtë proces janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë.

http://kallxo.com/ish-zyrtaret-komunale-te-prishtines-deklarohen-te-pafajshem/

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësor.

Redaktoi: Naser Sertolli