Gjykimi i ish-inspektorëve | Foto: KALLXO.com

Ndërtuesit Pa Leje Dëshmojnë në Gjykimin e ish-Inspektorëve

Dëshmitari Isuf Berisha, ndërtues i një objekti në Lagjen “Mati 1” në fillim tha se ka pasur leje ndërtimi për objektin e ngritur, por kur gjyqtari Beqir Kalludra ia kujtoi se ishte nën betim dhe e detyroi ta lexojë tekstin e betimit, Berisha pranoi se për objektin e ndërtuar kishte vetëm leje urbanistike.

Ky dëshmitar më tutje tregoi se lejen e punës e mori vetëm kur kishte ndërtuar dy ose tre kat të objektit, ndërsa tregoi se inspektorët komunalë ia kishin ndërprerë disa herë punën, por tha se kjo ishte bërë për shkak të neglizhencës së Zyrës së Urbanizmit.

Edhe dëshmitari Xhafer Rrmoku, ndërtues i dy objekteve në lagjen “Kalabria” e pranoi në gjykatë se lejen e ndërtimit për njërin nga këto objekte e mori një vit pasi filloi ndërtimin, ndërsa tregoi se për objektin tjetër ende nuk ka leje.

“Në vitin 2011 kam fillu objektin e parë, ndërsa të dytin ka fundi i 2013-ës. Për objektin e parë kam marrë lejen e ndërtimit në vitin 2012, kur isha në katin e tretë apo katërt, e për të dytin ende nuk e kam lejen e ndërtimit. Te objekti i dytë kanë ardhur inspektorët dhe ma kanë sjellë një vendim për rrënim në një pjesë të objektit dhe unë e kam respektuar atë,” tha dëshmitari.

Prokuroria e pyeti këtë dëshmitar edhe në lidhje me blerjen e një banese të objektit të tij nga i akuzuari Mërgim Shala.

“ Atë banesë e ka blerë Lulzim Shala, vëllai i Mërgimit dhe paratë për atë banesë gjysmën m’i ka paguar me një kerr, e të tjerat herë Lulzimi, herë Mërgimi,” tha dëshmitari Rrmoku.

Prokuroria i lexoi edhe disa sms të cilat theksoi se i ka shkëmbyer ky dëshmitar me të akuzuarin Mërgim Shala.

“ Unë po shkoj me e hjekë shiritin,” ishte mesazhi i Rrmokut drejtuar Shalës.

“ Ok, hiqe se unë jam në këtë terren,” i ishte përgjigjur sipas prokurorisë Shala Rrmokut.

Por në gjykatë Rrmoku mohoi se hoqi shiritin e inspektoratit që ia ndalonte punimet.

“Ata mesazhe i kemi shkëmbyer por kanë qenë hajgare sepse unë kam qenë shok me të dhe e di që mi hjek shiritat është vepër penale,” deklaroi Rrmoku.

Edhe dëshmitari Hisen Sadiku ndërtues i një objekti në “Lakrishte” u pyet nga prokurorja speciale Drita Hajdari se a e ka ditur që një pjesë e këtij objekti është ndërtuar në pronë shoqërore dhe a është vizituar ndonjëherë ky objekt nga inspektorët komunalë.

“ Sipas lejes së parë unë kam pasur të drejtë të ndërtoj deri 70 mijë metra katrorë, tani vetëm janë zvogëluar dhe tash janë diku 40 mijë metra katrorë. Sa i përket lejes, me të është marrë pronari i parcelës Nazmi Morturi. Inspektorët e kanë rrethuar disa herë objektin, por kur ua kam paraqitur fletëpagesat dhe lejen e ndërtimit janë tërhequr,” tha dëshmitari.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, duke mos i parandaluar dhe duke mos i ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal, i cili e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësor.