Në Arrati i Dyshuari i Tretë për Kërcënimin e Blerim Dinës

Shaban Lushtakut e Naim Sallahut, të dyshuar për kërcënimin e shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Blerim Dina u është vazhduar paraburgimi edhe për nga dy muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e gjykatës për vazhdimin e paraburgimit në të cilin arsyetohet vendimi për vazhdim të paraburgimit, si dhe përmendet emri i të dyshuarit të tretë për kërcënim ndaj Dinës.

“Ekziston rreziku që të njëjtit të arratisen, ku dyshohet se në kryerjen e kësaj vepre penale, kanë marrë pjesë edhe dy persona të tjerë, njëri person i panjohur”, thuhet në arsyetimin e vendimit për paraburgim.

Për të dyshuarin e tretë në lidhje me kërcënimin e Blerim Dinës në arsyetimin e gjykatës thuhet se është lëshuar fletarrest, ndërsa ai konsiderohet se është i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Për shkak se ky person ndodhet në arrati, gjykata konstaton se kjo tregon “rrezikun e ikjes edhe tani të pandehurve Naim Sallahu dhe Shaban Lushtaku që të pengojë rrjedhën e procedurës penale”.

Lushtakut e Sallahut paraburgimi u është vazhduar edhe për shkak se gjykata ka bërë me dije se po të ndodhen në liri ata mund të ndikojnë në dëshmitarë.

Kundër vazhdimit të paraburgimit ka parashtruar ankesë avokati i Lushtakut, Ilir Rama.

Shaban Lushtaku e Naim Sallahu gjenden në paraburgim nga 19 tetori i vitit 2016.

http://kallxo.com/u-vazhdohet-paraburgimi-te-dyshuarve-per-kercenimin-e-blerim-dines

Në këtë procedurë penale pretendohet se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë Blerim Dinën të kryejë veprim kundër pasurisë publike në tenderin prej 21 milionë eurosh për Autostradën Prishtinë- Gjilan.

Në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbulojë identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast, por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë. E tani më është zbuluar edhe i dyshuari i tretë, Lulzim Sallahu.

Në kërkesën e saj prokuroria ka përshkruar edhe veprimet e të dyshuarve. “I dyshuari Sallahu i ka thënë Dinës se “ky tender ka vlerën njëzet e një milion euro, kjo punë duhet të kryhet dhe kushton me jetë “, përshkruhej në kërkesën për paraburgim kërcënimi ndaj drejtorit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për tenderin e Autosttradës Prishtinë- Gjilan, i cili është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkak të ankesave të disa operatorëve ekonomikë që sihin shpallur të papërgjegjshëm nga Ministria e Infrastrukturës.

Dy të dyshuarit, sipas prokurorisë, e kishin pritur Dinën në Rrugën “Fazli Grajçevci” deri sa ai ishte duke u kthyer nga puna.

Prokuroria pretendon se fillimisht të dyshuarit kanë tentuar që ta fusin Dinën me forcë në njërin nga lokalet, e pastaj e kishin detyruar që të fliste me dikë në telefon.

“Të njëjtit, e kanë detyruar që pa dëshirën e tij, të flasë në telefonin e personit NN, ku kanë thirre një person deri tani të panjohur, nëpërmjet rrjetit ‘Ëhatsapp’ duke i thënë ‘për gjysmë ore takohemi te Grand Store’ thuhet në kërkesën e prokurorisë. E njëjta sqaron se Dina i ishte përgjigjur personit me fjalët “nuk takohem me askënd”.

Në dosjen e prokurorisë shpjegohet se një kalimtar i rastit ishte shpëtimtari i Dinës.

“Një kalimtar rasti, i cili duke vërejtur se diçka nuk është në rregull, ka reaguar, për çka edhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, shpjegohet në dosjen e prokurorisë.

Presionet kishin vazhduar edhe më tutje pasi Dina kur kishte arritur te banesa e tij e kishte kuptuar se Shaban Lushtaku poe  priste te dera e banesës.

“Te dera e banesës është paraqitur i dyshuari Lushtaku, i cili i është drejtuar Dinës me fjalët ‘hajde, hajde, dil pak’. Kjo gjë ka shkaktuar frikë e ankth tek Dina, pasi që i njëjti është frikësuar se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe për jetën e trupin e tij”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë për Kërrcënimin Ndaj Shefit të OShP-së

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar intervistën ekskluzive me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, lidhur me përfoljen se Lushtaku ishte i përfshirë në këtë tender.

Sami Lushtaku ka refuzuar të jetë i përfshirë në këtë rast, madje ka thënë se është ndjerë i befasuar me lakimin e emrit të tij.

http://kallxo.com/lushtaku-nuk-kam-gisht-ne-kercenimin-e-shefit-te-oshp-se/

Në Emision foli edhe kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Blerim Dina që tha se nuk do t’u nënshtrohet presioneve.

http://kallxo.com/dina-nuk-bie-pre-e-presioneve/