Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Në Aksionin Antitrafikim Kontrollohen 71 Lokale

Policia e Kosovës në një komunikatë bën të ditur se ka kontrolluar 71 lokale në mbarë vendin në bazë të planit operativ “Mars-Prill-Maj 2017” kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Plani, siç njofton komunikata, është hartuar dhe zbatuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Policia njofton se në veprime “përveç njësive të ndryshme policore, kanë marrë pjesë edhe inspektorë komunalë të komunave përkatëse dhe zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës”.

Policia bën të ditur se mbylli gati gjysmën e lokaleve të kontrolluara.

“Gjatë kësaj periudhe me qëllim parandalimin dhe hetimin e kësaj dukurie, janë kontrolluar shtatëdhjetë e një (71) lokale që dyshohej se kryenin aktivitete të kësaj natyre në tërë vendin. Prej tyre, janë mbyllur tridhjetë e katër (34) lokale nga inspektorët komunalë të komunave përkatëse”, tregon policia.

Policia më tutje bën të ditur se ka bërë legjitimin e atyre që ka hasur në këto lokale.

“Në këto lokale, policia ka legjitimuar 389 femra (238 shtetase të Shqipërisë, 137 shtetase të Kosovës, 7 shtetase të Serbisë, 5 shtetase të Maqedonisë, 1 shtetase e Bullgarisë dhe 1 shtetase e Moldavisë)”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, “shtetaseve të huaja të cilat nuk kanë prezantuar leje pune dhe qëndrimi në vend, u janë konfiskuar dokumentet dhe janë adresuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj”.

Policia shpjegon se ka konfiskuar edhe prova që lidhen me mundësinë e trafikimit me qenie njerëzore.

Në prill KALLXO.com shkroi për arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore.

http://kallxo.com/4-te-arrestuar-per-trafikim-me-qenie-njerezore/