Termocentralet e KEK-ut. Foto kortezi: Yll Vuçiterna

Ndotja e Ajrit në Prishtinë me Shifra Rekorde

Niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë theu një rekord të ri këtë vikend. Koncentrimi i orshëm i mikro-pjesëzave  në ajër arriti nivelet më të këqija që janë matur ndonjëherë tek ambasada amerikane në Prishtinë, që kur Agjensioni amerikan për Mbrojtjen e Ambientit (EPA) filloi me matjet e kualitetit të ajrit në mars të vitit 2016. Rekordi i fundmë i 1 janarit – 505 mikrogram për një metër kub ajër – u tejkalua fundjavën që shkoi me – 600 μg/m3  dhe 606 μg/m3  të shtunën dhe të dielën mbrëma respektivisht.

Përgjatë fundjavës, ajri i Prishtinës cilësohej si “i rrezikshëm” (hazardous) dhe nuk ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm në orët e mëngjesit të hënën. Ky është niveli më i lartë i ndotjes të matur nga EPA dhe sipas Indeksit të tyre të Kualitetit të Ajrit, të gjithë qytetarët e Prishtinës janë “me më shumë gjasa të ndikohen” nga ndotja e ajrit.

Që nga e premtja, mesatarja ditore e koncentrimeve të mikro-pjesëzave në ajër ka qenë prej 10 deri ne 16 herë më e lartë se sa shifrat e konsideruara normal në udhëzuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, WHO.

Në këto kushte ekstreme, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit hapësinor udhëzon në “Udhëzuesin për Mbrojtje nga Ndotja”  që të gjithë duhet “të shmangin çfarëdo aktiviteti fizik në ambient të hapur” dhe të pyesin anëtarët e grupeve të ndjeshme – siç janë të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me probleme kardio-vaskulare dhe sëmundje të mushkërive të “qëndrojnë brenda dhe të mos bëjnë shumë aktivitete.”

Kushtet meteorike ndikojnë në koncentrimin e ndotësve në ajër. Mjegulla e dendur që ka mbuluar kryeqytetin këto ditë ka ngujuar mikro-pjesëzat, në të njëjtën kohë mungesa e erës ka pamundësuar shpërndarjen e tyre.

Edhe nëse kushtet metereologjike vërtet përkeqësojnë ndotjen e ajrit në Prishtinë, ato nuk janë drejtpërsëdrejti përgjegjese për emetimin e ndotësve nga trafiku, nxemjet e shtëpive që përdorin qymyr dhe dru, termocentralet e KEK-ut dhe industritë tjera ndotëse.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!