Takimi i KPPM-së me përfaqësues të ndërmarrjeve minerare | Foto: KALLXO.com

Ndërmarrjeve u Tregohet si të Raportojnë në Komisionin për Miniera

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka mbledhur sot në një takim ndërmarrjet minerare për t’i informuar për obligimin e tyre për raportim në KPMM

Në këtë takim komisioni ka informuar ndërmarrjet minerare për mënyrën e raportimit të rezervave, të drejtat dhe detyrimet e ndërmarrjeve të licencuara ndaj Departamentit të Financave, raportimin vjetor, si dhe  raportimin për gjeologji.

Jahir Gashi gjatë prezantimit të tij njoftoi përfaqësuesit e ndërmarrjeve minerare se si duhet të raportojnë për rezervat.

“Formulari për raportim duhet të bëhet për mbajtjen e shënimeve tuaja për pagesën e rentës minerale dhe mbajtja e shënimeve bazike për ta informuar KPMM-në lidhur me aktivitetin tuaj minerar në baza tremujore dhe vjetore”, tha Gashi.

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasiqi u ka bërë me dije përfaqësuesve të ndërmarrjeve se në rast se nuk i kryejnë obligimet e tyre për raportimin mujor dhe vjetor do të gjobiten.

“Ligji për Miniera dhe Minerale parasheh detyrime të cilat janë raportime për licenca të shfrytëzimit dhe leje për aktivitete të veçanta. Raportimet janë obligime ligjore dhe në rast se ndërmarrjet nuk e kryejnë këtë obligim dënohen me gjoba”, tha Krasniqi.

Në këtë mbledhje ndërmarrjet publike u informuan se kur dhe si duhet të bëhet raportimi vjetor.

Ndërmarrjet duhet të raportojnë deri në fund të muajit shkurt, sepse kjo parashihet me Ligjin për Miniera dhe Minerale. Ky raport duhet të jetë brenda raportit vjetor të dorëzuar në KPMM. Ky raport duhet të bëhet nga ndërmarrjet publike në inspektorat, gjeodezi, gjeologji dhe financa.

Raporti vjetor në inspektorat duhet të përmbajë të njëjtat specifika sikurse raporti tremujor, por vetëm të jenë të grumbulluara numri i aksidenteve në punë dhe numri mesatar i punëtorëve brenda vitit.

Ndërsa raporti vjetor financiar bëhet brenda 60 ditëve nga përfundimi i çdo viti.

Në raportimin vjetor bëhet plotësimi i raportit vjetor nga një person  kompetent me kërkesat në raport si dhe plotësimi i deklaratës me të dhënat e ndërmarrjes si dhe sasinë e mineralit të shfrytëzuar.

Në këtë takim bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale u premtoi ndërmarrjeve se do të jenë gjithmonë të gatshëm dhe transparent për ta.