Kryeministri Isa Mustafa dhe homologu i tij Dushko Markoviq gjatë një takimi në Prishtinë më 2015 kur Markoviq ishte zv.kryeministër - Foto: ZKM

Mustafa Takim 'Miqësor' me Homologun Malazez

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar sot në Shkodër me homologun malazez, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit miqësor, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, Mustafa e Markoviq biseduan për çëshjet që lidhen me bashkëpunimin bilateral si dhe u pajtuan për intensifikimin e përgjithshëm, sidomos të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Po ashtu, sipas komunikatës, dy kryeministrat biseduan edhe për zhvillimet e tjera aktuale në rajon.

Në komunikatë nuk thuhet se Mustafa e Markoviq kanë biseduar për çështjen e demarkacionit mes dy vendeve.

Marrëveshja për Demarkacionin nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, sidomos si rezultat i kundërshtimit të partive opozitare por edhe i presionit të opinionit.

Në seancën e 1 shtatorit, kur pritej votimi në Kuvend i Marrëveshjes së Demarkacionit, kryeministri Isa Mustafa e kishte tërhequr befasisht ratifikimin e Marrëveshjes nga rendi i ditës i seancës.

Në arsyetimin për këtë lëvizje, ai ka përmendur presionin ndaj deputetëve por edhe koncesionet që, sipas tij, po i kërkon një grup parlamentar.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Që nga ajo ditë nuk ka pasur më përpjekje për ta futur në rend të ditës këtë çështje ngase pushteti me gjasë nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar Marrëveshjen.

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin është edhe një prej kushteve që Kosova duhej ta plotësonte për liberalizimin e vizave.

Duke aluduar në vendimin e Komisionit Evropian që dha dritën jeshile që qytetarët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen, Isa Mustafa në profilin e tij në “Facebook”, shkroi: “Sot është dita kur duhet të turpërohen të gjithë ata që duke shpikur dhe duke u bërë avokat të një kauze të rrejshme penguan liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa Ukraina dhe Gjeorgjia fituan për qytetarët e tyre”.

Më 30 nëntor, Isa Mustafa e kishte uruar Dushko Markoviqin për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Malit të Zi.

http://kallxo.com/mustafa-uron-zgjedhjen-kryeminister-markoviqit/