Foto:KALLXO.com

Me automjet godet ish-vjehrrin që ishte me biçikletë, arrestohet 48-vjeçari në Shkodër

Policia e Shtetit ka njoftuar se një 48-vjeçar dyshohet se ka goditur me automjet ish-vjehrrin e tij, i cili po lëvizte me biçikletë në Shkodër.

Sipas Policisë shqiptare, është arrestuar i dyshuari dhe sekuestruar automjeti që drejtonte 48-vjeçari.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, biçikletën me të cilën lëvizte një 68-vjeçar, në korsinë e dedikuar, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit” – thuhet në njoftimin e Policisë së shtetit shqiptar.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin:

E. Ç., 48 vjeç, banues në Shkodër, dyshohet për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë.

“Ky shtetas, më datë 02.03.2024, në rrugën “Marin Biçikemi”, dyshohet se për motive të dobëta, me automjetin që drejtonte, ka përplasur me dashje biçikletën me të cilën po lëvizte në korsinë e dedikuar për biçikleta, ish-vjehrri i tij, shtetasi A. U., i cili është jashtë rrezikut për jetën” – thuhet tutje në njoftimin për media të datës 03.03.2024