Isa Mustafa
Mustafa: Po punojmë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur i bindur se partia që ai drejton është e vetmja që ka potencial për t’i zgjidhur problemet e akomuluara në Kosovë.
Ndërsa bëri të ditur se janë duke punuar çdo ditë për t’i bërë votat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Kurse për zgjedhjet brenda partisë, ai tha se nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve.
“E kemi thënë disa herë që Kuvendi nuk është funksional. Po bëjmë përpjekje që të arrijmë t’i kemi votat e nevojshme për të rrëzuar qeverinë. Po bëjmë çdo ditë përpjekje për të rrëzuar qeverinë”, tha ai.
Për iniciativën e kryeparlamentarit, Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali për krimet serbe në ndodhura në Kosovë, Mustafa tha se kjo po bëhet si mënyrë për t’i mbuluar dështimet, por megjithatë ai bëri të ditur se e përkrahin.
Këto komente, Mustafa i bëri pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.