Mushkolaj: Veseli do ta Çojë vendin në Zgjedhje

Janë bërë tetë muaj qëkur “Vetëvendosja” paralajmëroi gjithçka përveç luftës për ta kundërshtuar Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa bashkë me AAK-në e Nismën që nga tetori i vitit të kaluar po mundohen ta pengojnë punën e Kuvendit duke kërkuar dorëheqje të qeverisë dhe zgjedhje për dalje nga kriza.

Analisti Imer Mushkolaj parashikon zgjedhje brenda vitit, ngase thotë se Kadri Veseli ka ambicie për të bërë karrierë politike.

“Besoj sinqerisht që Veseli do ta çojë vendin në zgjedhje dhe zgjedhjet do të mbahen më së largëti brenda një viti. Këtë do ta bëjë pasi që i ka kalkulimet e veta politike dhe sidomos tash që Thaçi nuk është më në PDK,” thotë Mushkolaj.

Por deri në zgjedhje Mushkolaj thotë se opozita duhet të ndryshojë mënyrat e veprimit dhe të merret vesh me pozitën.

“Duhet provuar që bashkë me pushtetin të arrijnë marrëveshje për zgjedhjet, e në anën tjetër të vazhdojë edhe presioni në rrugë në mënyrë të qetë dhe pa dhunë, sepse dhuna në protesta i konvenon më së shumti pushtetit që me i arsyetua dështimet e tyre qeverisëse,” thotë Mushkolaj.

Opozita përsëri përdori dje dy herë gaz lotsjellës në Kuvend, mirëpo më pas deputetët opozitarë morën vendim që të tërhiqen nga pjesëmarrja nëpër mbledhjet e legjislativit.

Edhe analisti Belul Beqaj thotë se opozita duhet ta ndryshojë qasjen sepse sipas tij vetëm po u jep arsye partive në pushtet që të arsyetojnë dështimet e tyre.

“Pushteti përmes mënyrave sesi po kërkon arsyetime për çështje të cilat nuk kanë arsyetime siç janë njohjet, siç janë disa segmente të zhvillimit ekonomik, të aprovimit të ligjeve të cilat nuk kanë të bëjnë në fund të fundit edhe me mënyrën se si po reagon opozita, por kanë të bëjnë me mënyrën se si po reagojnë qytetarët,” thotë Beqaj.

Edhe Imer Mushkolaj e thotë të njëjtën gjë.

“Në këtë formë opozita po i jep argumente shtesë qeverisë për mospunë që për gjithçka që po ndodhë ta fajësojnë opozitën, sepse nuk është e vërtetë që për shkak të opozitës nuk po kemi investime të huaja, sepse ne e dimë pse ata nuk vijnë me investu, por ky  është vetëm edhe një argument shtesë se pse ata nuk vijnë me investu në Kosovë,” thotë Mushkolaj.

Ai kërkon që opozita ta paraqesë edhe alternativën e saj.

“Opozita duhet ta paraqesë alternativën e  vet qeverisëse, pasi që deri tash nuk kemi pasë alternativë të tyre qeverisëse dhe në fakt, ne ende nuk e dimë se a do të ketë alternativë të përbashkët apo të ndarë të opozitës,” thotë Mushkolaj.

Ndërsa Beqaj thotë se veprimet e tilla të opozitës por edhe miratimi i ligjeve kështu si po bëhen e rrezikon shtetin.

“Veprimet e tilla e kontestojnë legjitimitetin e tërë pushtetit dhe shumë seriozisht dhe fakti që po sillen këto ligje dhe po merren këto masa në këtë mënyrë, e rrezikon të ardhmen e shtetit për faktin që në të ardhmen nëse këta vinë në pushtet mund t’i kundërshtojnë të gjitha ligjet dhe vendimet e marra tash pa pjesëmarrjen  e opozitës,” thotë Beqaj.

Por Mushkolaj dhe Beqaj fajësojnë më shumë pozitën për situatën e krijuar.

“Ne po shohim njëfarë këmbëngulësie që me çdo kusht të mbahet kjo qeverisje, dhe të thuhet se situata është normale dhe nuk ka arsye të mendohet që situata është e jashtëzakonshme, kur në të vërtetë situata është e jashtëzakonshme,” thotë Mushkolaj.

Beqaj dëshiron edhe ndryshim të qasjes së ndërkombëtarëve për krizën kosovare.

“Unë mendoj se qasja ndërkombëtare duhet të ndryshojë, sepse burim i krizës nuk është opozita, opozita është pasojë e shkakut që e ka shkaktuar Qeveria. Në anën tjetër i njëjti pushtet ka gjuhë të përbashkët me pushtetin e Serbisë dhe nuk po gjen gjuhë të përbashkët me opozitën e vet, ky është një paradoks  i stilit të vet,” thotë Beqaj.

Beqaj mendon se do të jetë situatë e rrezikshme nëse shpërthen mllefi popullor për situatën politike, gjendjen ekonomike dhe punësimet.

Dje në seancën e Kuvendit deputeti i “Vetëvendosjes” Ismajl Kurteshi fajësoi partitë në pushtet për gjendjen e krijuar në vend.

“Derisa të jetë Isa Mustafa në krye të qeverisë, i cili e ka shkelë kushtetutën dhe nuk po pranon ta tërheqë këtë marrëveshje [për Asociacioni], normalitet nuk do të ketë”, tha Kurteshi.

Por Isa Mustafa po në Kuvend tha se nuk është shkelës i kushtetutës.

“Në asnjë rast nuk është cenu asnjë nen, asnjë pikë e Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë rast qeveria se ka bërë dhe s’do ta bëjë këtë … i ftojmë opozitën dhe qytetarët që ata të jenë përkrahës të ndërtimit të vendit, të zhvillimit dhe të demokracisë dhe zhvillimit të institucioneve,” tha Mustafa.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të 23 dhjetorit 2015 tha se marrëveshja për parimet e asociacionit nuk është në pajtim të plotë me frymën e kushtetutës.