Mungon kryeministri, shtyhen interpelancat

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP-LVV dhe të GP të LDK në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës dhe Interpelanca në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione janë shtyrë për të premten.

Deputeti Armend Zemaj në emër të LDK-së kërkoi që të shtyhen për të premten.

“Kërkojmë që të zhvendosen në seancën e radhës. Pa prani të kryeministrit, interpelancat nuk kanë kuptim”, tha Zemaj.

Edhe Memli Krasniqi në emër të PDK-së, tha që interpelancat të lihen për të premten.

“Për interpelanca pajtohem me zotin Zemaj. Kryeministri do të jetë këtu të premten dhe mund t’i diskutojmë këto interpelanca”, tha ai.

Të njëjtën e tha edhe Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk pajtohen të mbahet interpelanca pa prezencën e kryeministrit.

“Ne nuk pajtohemi që ta mbajmë interpelancën pa qenë kryeministri. Është thënë që të premten dhe e lëmë të vazhdoj për të premten”, shtoi ajo.

Bilall Sherifi, tha se le të merren vesh me kryeministrin dhe kur ai është i gatshëm të vijë.

Kuvendi doli në pauzë deri në orën 15:30.