Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com
Mungon gjykatësja në gjykimin për vërtetim të pronësisë
Në mungesë të gjykatëses së çështjes, Afijete Sada-Gllogjani, e cila gjendej në një seminar, ka dështuar seanca në Gjykatën e Gjakovës në rastin e padisë për vërtetim të pronësisë.
Paditëset Zekije Stublla dhe Ardita Stublla po kërkojnë nga Gjykata që t’u njihet e drejta në pronësi.
Paditëset me vendim të plotfuqishëm të ish-Gjykatës Komunale në Gjakovë e kanë trashëguar paluajtshmërinë me mbajtje dhe si shfrytëzues të ndërgjegjshëm, pasi që të njëjtën paluajtshmëri për mbi 40 vjet e mbajnë në posedim.
Të paditurit në këtë rast janë: Enver Stublla, Arben Stublla, Dukagjin Stublla, Antonia Stublla, Diana Stublla, Zenije Rizvanolli, Suphije Lleshi.
Paditësja Zekije si e veja e Muhamet Stubllës dhe Ardita – vajza, duke qenë të vetmet trashëgimtare të të ndjerit Muhamet Stublla konsiderojnë se janë bashkëpronare të vetme të një njësie kadastrale në zonën kadastrale në Gjakovë.
I ndjeri Muhamet kishte qenë posedues i ndërgjegjshëm i kësaj paluajtshmërie mbi 40 vjet me radhë.
Të paditurit ishin larguar nga kjo shtëpi që para shumë kohësh, mirëpo paditëset kanë njohuri se kanë ekzistuar transaksione të arritura në mes të paraardhësve të palëve, në bazë të të cilave paraardhësi i tyre, Muhameti, e ka fituar pronësinë në të gjithë tokën e cekur më lartë, e cila është objekt kontesti.
Pra posedimit i ka paraprirë edhe marrëveshja që e konfirmon mirëbesimin në posedim të palës paditëse.
Në bazë të fakteve të cituara, paditëset pretendojnë se paluajtshmërinë e kanë fituar edhe me bazë juridike, e bazuar në Ligjin mbi pronësinë dhe të drejtat tjera sendore.
Në padinë e parashtruar për vërtetim pronësie, paditëset i propozojnë Gjykatës që të njëjtat duhet të njihen si bashkëpronare në bazë të fitimit me parashkrim të njësisë kadastrale në sipërfaqe të përgjithshme prej 385 m2.
Paditëset kërkojnë nga të paditurit që të pranojnë këtë fakt, që përveç kësaj paluajtshmërie e duke përfshirë edhe pjesët që janë në emër të të paditurve, në librat kadastralë të regjistrohen në emër të paditëseve.