Mungesa e Hajredin Kuçit Ndërpret Seancën për EULEX-in

Për gati një javë janë punuar skenarë të ndryshëm dhe dokumente të shumta për ta sjellë në Kuvend çështjen e vazhdimit të mandatit të EULEX-it, por kur kjo arriti më në fund për diskutim, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, e ndërpreu mbledhjen “për 15 minuta”, për një arsye të çuditshme.

Zëvendës Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka qenë dashur t’i prezantojë dy projektligjet para deputetëve, nuk ishte i pranishëm në seancë.

Paraprakisht, 80 deputetë votuan në favor të shmangies nga rregullorja, në mënyrë që këto çështje të votohen.

Propozimi për shmangie u bë nga Ismet Beqiri i LDK-së dhe që u mbështet nga Adem Grabovci i PDK-së dhe Slavko Simiq i Listës Serbe.

Ndërsa Glauk Konjufca tha se Vetëvendosje është kundër procedurës së përshpejtuar.

“Prej vitit 2014 është ditur që më 15 qershor 2016 EULEX-it i kalon mandati. Kjo vonesë është e qëllimshme. EULEX është qe dy ditë pa mandat duke qëndruar në Kosovë. Kjo vonesë nuk i kontribuon vendimeve të mira për vendin tonë. Kur po kryhen punët shpejt e shpejt, punët po na dalin gabim, po na hakmerren në cilësine e projekt- ligjeve që po bëhen në Kuvend”, tha Konjufca.