Muhaxheri: Marrëveshje si në Pejë është nënshkruar edhe në Deçan

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” për të diskutuar rreth problematikës së ndërtimit të hidrocentralit në Lumbardh të Pejës ka shpjeguar rrjedhën e procesit të “kontrabandimit” të investimit në lumë.

Ai ka thënë se e gjithë historia ka filluar në vitin 2010 kur kompania Kelkos Energy ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e atëhershëm të komunës së Pejës, Ali Berisha, duke ofruar që 20 për qind e aksioneve t’u shpërndahen aksionarëve lokal.

“Kjo histori nis më marrëveshjen të bërë me 23 qershor 2010 në mes të Kelkos Energy dhe kryetarit të atëhershëm, Ali Berisha. I ka 15 pika, por pika më e rëndësishme edhe më diskutabile e kësaj marrëveshjeje është se thuhet se Kelkos Energy i lejon kryetarit të komunës ose i ofron që 20 për qind të aksioneve t’i shpërndajë aksionarëve lokalë të cilët i përzgjedh ai ose të cilët i preferon ai”, ka shpjeguar Muhaxheri.

Muhaxheri po ashtu ka thënë se dyshon se marrëveshje e njëjtë si në Pejë është nënshkruar edhe në Komunën e Deçanit.

“Unë besoj se marrëveshja e njëjtë është nënshkruar edhe me kryetarin e Deçanit dhe këto dy procedura kanë filluar paralelisht, pas kësaj procedure janë bërë marrëveshjet me Manastirin e Deçanit dhe Patrikanën e Pejës për me e shu zonën e tyre sepse janë frikësuar se ka me pasë ndonjë rezistencë prej tyre dhe rezistenca e tyre kishte me qenë faktorë ndoshta i rëndësishëm për mos me u zhvillu këto projekte edhe deri në vitin 2012 është pritë si në heshtje për me u fillu këto procedura”, ka shtuar ai.

Në këtë debat marrin pjesë: Fatmir Matoshi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës; Afrim Ajvazi nga ZRrE; Adriatik Gacaferi nga shoqëria civile dhe Viktor Berishaj, hulumtues.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

www.kallxo.com