Me padi - dy organizata kërkojnë anulimin e lejeve për hidrocentralin në Brezovicë

Organizatat GLPS e GAIA, kanë dorëzuar sot një padi për konflikt administrativ ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit lidhur me procesin e lëshimit të lejes ujore  për hidrocentralin “Brezovica” në komunën e Shtërpcës.

Sipas tyre, procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jo transparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja.

Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka thënë se po kërkojnë anulim të lejeve ujore e mjedisore për hidrocentralin në Brezovicë.

Ajo tha se synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces, si dhe të shtyjnë ekzekutimin e tyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e procesit.

Përfaqësues nga GLPS dhe KAIA, Foto:KALLXO.com

“Fillimisht procedura e lëshimit të lejeve ka pasur mungesë të njoftimit për debat publik. Pjesëmarrja për mjedisin ku jetojnë është e drejtë themelore e qytetarëve të Kosovës, kurse në këtë rast qytetarët e Shtërpcës nuk janë informuar se po mbahet një debat publik për këto hidrocentrale që do të kenë një impakt kaq të madh në jetën e tyre të përditshme. Shkelja e dytë është se me hidrocentralin “Brezovica”, qytetarët iu është mohuar qasja në ujë të pijshëm dhe ujitjes. Shkelja e tretë është bërë shkatërrimi dhe degradimi i natyrës. Kurse e katërta se është bërë ndërtimi kundërligjshëm në parkun kombëtar “Sharr”, pasi rrezikohet aty ekosistem, fauna, flora”, tha ajo.

Ajo shtoi se nga Ministria e Ambientit kanë kërkuar të gjitha dokumentet, por ky institucion ia kanë dërguar vetëm lejen ujore për hidrocentralin “Brezovica”.

Dushi theksoi se në këto momente kërkojnë vetëm anulimin e kësaj leje pasi që vetëm këtë dokument e kanë në dorë.

“Në momentin qe do të na i dërgojnë, patjetër që në do të dërgojmë padi edhe për ato, sepse të gjitha bëjnë pjesë në këtë procesin e jashtëligjshëm”, u shpreh ajo.

KALLXO.com transmetoi drejtpërdrejt ngjarja nga Pallati i Drejtësisë të cilën mundeni ta shikoni në këtë link.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi se banorët serbë e shqiptarë të fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës janë bërë bashkë për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre pasi me ndërtimin e katër minihidrocentraleve po ndryshohet rrjedha e lumit e po pakësohet uji.