Foto: Ilustrim

Inspektorati i Ministrisë nuk i pezullon punimet e hidrocentralit në lumin Lepenc

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit sot ka inspektuar punimet e hidrocentralit përgjatë lumit Lepenc në fshatin Biti e Poshtme dhe nuk ka pezulluar ato për shkak se nuk ka gjetur shkelje.

Ditë më parë zëvëndësministri Avni Zogiani dhe deputetja Fitore Pacolli kanë paralajmëruar se ministria ka filluar me procedurat për pezullimin të menjëhershëm të punimeve deri në shqyrtim të plotë të situatës.

Kryeinspektori Mustafë Hyseni, për KALLXO.com, ka thënë se punimet nuk janë pezulluar për shkak se inspektorati nuk ka gjetur ndonjë shkelje ose devijim të projektit.

Sipas Hysenit, inspektorati sot pas inspektimeve ka kërkuar nga banorët që të deponojnë ankesat e tyre në Komunën e Shtërpcës ose në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ne sot pas inspektimit, nuk kemi gjetur ndonjë shkelje të projektit ose devijim nga projekti në bazë të ankesave të banorëve. Ne kemi kërkuar nga ata që nëse ndërkohe kanë ankesa për devijim të projektit të drejtohen në Komunë dhe jo te ne, ndërsa nëse kanë ndonjë ankesë për dëmtim të burimeve ujore të vijnë te ne dhe përsëri dalim në terren”, ka thënë Hyseni për KALLXO.com.

Po i njëjti inspektorat ditë më parë pas një inspektimi të bërë në fshatin Biti e Poshtme ka vlerësuar se investitori MATKOS Group nuk i ka lënë banorët pa ujë të pijshëm.

Inspektimi në vendin e ngjarjes ka ardhur me kërkesë të investitorit MATKOS Group, me pronar Labinot Vitija, pasi banorët janë ankuar se ky investitor me punimet që është duke i bërë për ndërtimet e hidrocentralit në këtë fshat ka dëmtuar burimin e ujit nga ku janë furnizuar banorët e këtij fshati.

Inspektorati ka vlerësuar se furnizimi i rezervuarit është i pamundur për shkak se kuota e lumit është në lartësi mbidetare ndryshe nga ajo e rezervuarit.

Lumi Lepenc, sipas raportit, është në disnivel në një lartësi prej 1.5 metra më poshtë se rezervuari.

Në raportin e MMPH-së po ashtu thuhet se ky ujë i pijshëm, nga Instituti i Shëndetësisë Publike në Ferizaj është vlerësuar si i papijshëm e gjithashtu nuk mund të përdoret as për higjienë.

Pas inspektimit, inspektorati ka konstatuar se kompania MATKOS Group do të bëjë zgjidhje të përkohshme për banorët që të ju sigurojë atyre ujë të pijshëm.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet e banorëve të fshatit Biti e Poshtme me investitorin MATKOS Group.

Banorët të fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar disa herë para Komunës së Shtërpcës për mungesë të ujit të pijshëm gjatë muajit dhjetor 2019, janar dhe shkurt 2020, ndërsa lufta e tyre ndaj kqtyre hidrocentraleve ka filluar qysh prej 2015-ës.

Banorët kanë pretenduar se investitori MATKOS Group ka ndryshuar rrjedhën ujore të lumit duke i lënë ata pa furnizim të rregullt qysh prej fillimit të muajit dhjetor.

Rreziku për lënie të banorëve pa ujë të pijshëm nga ndërtimet e hidrocentralit është diskutuar edhe në Emisionin Jeta në Kosovë gjatë muajit tetor.

Zogiani: Nuk janë ndërprerë punimet në hidrocentrale, këtë po e vlerëson Inspektorati

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

.