MPB hap konkurs për pozitën e Kryeshefit të Inspektoriatit Policor

Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për pozitën e Kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës. Hapja e konkursit është bërë vetëm një ditë pas shkarkimit të Hilmi Mehmeti nga e njëjta pozitë me arsyetimin se ndaj tij janë hapur procedura hetimore.

Ministria e Punëve të Brendshme, të martën, i ka konfirmuar KALLXO.com shkarkimin e Mehmetit nga pozita e kryeshefit të IPK-së.

Nga dita e sotme (4 korrik) e deri më 18 korrik do të jetë konkursi i hapur për ata që synojnë pozitën e kryeshefit të IPK-së. Ky proces i rekrutimit do të bëhet në bashkëpunim me partnerin implementues të Ambasadës Britanike në Kosovë, në kuadër të memorandumit që kanë me institucionet e Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës, bënë parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin e veprave penale të kryera nga një punonjës i Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj

IPK po ashtu bën hetimin e të gjitha shkeljeve disiplinore të supozuara të zyrtarëve policor me gradën më të lartë të nivelit të lartë të menaxhimit dhe zyrtarëve policor të nivelit të lartë ekzekutiv, gjithashtu kur ekziston dyshimi i bazuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka kryer shkelje disiplinore, Kryeministri mund ta autorizoj IPK-në për zbatimin e hetimeve disiplinore.

IPK-ja pas përfundimit të hetimeve disiplinore i raporton Kryeministrit për të gjeturat

Në konkursin e publikuar në MPB, janë kriteret minimale që duhet t’i plotësojnë një person për t’u pranuar në këtë pozitë.

Kërkohet që minimumi diploma nga universitetet e pranuara në fushat që kanë të bëjnë me policinë, drejtësinë, sigurinë ose administratën publike. Personi duhet të ketë të paktën tri vjet përvojë pune në pozitë të lartë menaxheriale në fushat që kanë të bëjnë me policinë, kriminalistikën, drejtësinë, sigurinë ose administratën publike. Duhet të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë, të mos jetë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinës së IPK-së brenda dhjetë viteve të fundit, gjatë të cilave ka punuar në institucione shtetërore.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Kryeshefit të IPK-së, janë përgjegjësitë për administrimin dhe menaxhimin e gjithmbarshëm dhe sigurimin e zbatimit të funksioneve që i janë besuar IPK-së.

Kryeshefi i IPK-së, është  autoriteti ekzekutiv apolitik në kuadër të IPK-së dhe autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i IPK-së. Kryeshefi bënë organizimin dhe punësimin e personelit, nxjerrjen e udhëzimeve administrative dhe marrjen e vendimeve për çështjet që i përkasin funksioneve të IPK-së, si dhe bënë menaxhimin efektiv dhe efikas të resurseve që i janë besuar IPK-së.