Mogherini - lideret e rajonit (Arkiv)

Mogherini përgëzon për një marrëveshje, pret një tjetër

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka pritur sot në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim joformal.

Sipas saj, në këtë drejtim, liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur mbështetjen më të fortë për Marrëveshjen e Prespës (marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë) dhe për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative për dialogun Prishtinë – Beograd.

“Ata gjithashtu u angazhuan për të punuar dhe për të çuar më tej integrimin e rajonit në BE në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit, duke u përmbajtur nga të gjitha veprimet dhe deklaratat që nuk janë të favorshme për interesat e përgjithshme dhe objektivat strategjike të rajonit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Mogherini ka thënë se duke e shikuar progresin e rëndësishëm të bërë në rajon në vitin 2018, liderët janë pajtuar për nevojën për të ndërtuar këtë progres dhe për të vazhduar që të përqendrohen në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Europian dhe në reformat e nevojshme të brendshme, në funksion të arritjes së progresit në kohë për mbledhjen e Këshillit në qershor të vitit 2019.

Federica Mogherini theksoi se partnerët e Ballkanit Perëndimor tani më shumë se kurrë duhet të punojnë së bashku për të çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE, për të konsoliduar paqen dhe sigurinë dhe për të investuar në bashkëpunimin e mëtejshëm rajonal, për të mirën e të gjithë njerëzve në rajon.