Ilustrim

Mjekët dhe infermierët në QKUK ankohen se po bëjnë punë që nuk janë për ta

Mjekët dhe infermierët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po ankohen se po u delegohen punë për të cilët ata nuk janë të thirrur për t’i kryer.

Ata ankohen se po detyrohen të nxjerin statistika për numrin e pacientëve, sëmundjet, numrin e operimeve dhe çdo gjë tjetër.

“QKUK kërkon statistikat me u nxjerr nga mjekët dhe infermierët përderisa ekzistojnë njerëzit që paguhen për të kryer këtë punë në QKUK. Nuk po dijmë a jemi të thirrur me kry punë të mjekut apo infermierëve apo me kry punë me statistika”, thotë për KALLXO.com një prej mantelbardhëve.

Nga ana tjetër Zyra e Informimit thotë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ka krijuar sektorin për monitorim dhe vlerësim të cilësisë së shërbimeve që po merret me këtë punë.

“Përveç kësaj, secila klinikë ka drejtorin, kryeinfermieren dhe administratorin që përveç punës profesionale, merren edhe me punë administrative”, thuhet në përgjigje.

Por QKUK nuk e mohon në terësi pretendimin e mjekëve dhe infermierëve që po ankohen se po bëjnë punë shtesë për të cilën nuk janë të thirrur dhe nuk paguhen.

“Në raste caktuara mund të jetë kërkuar dhe vlerësuar e nevojshme ndihma edhe nga mjekët”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com mëson se ka vite që u është kërkuar mantelbardhëve që të kryejnë këto punë dhe se ata në numër të madh janë kundër kësaj praktike.