Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

I Mituri Ekspozon Armët në ‘Facebook’, Policia Gjen 2 Pistoleta e 60 Plumba

Hetuesit policorë të Stacionit Policor të Suharekës gjatë detyrave operative kishin gjetur se një i mitur nga fshati Gjinoc kishte ekspozuar dy pistoleta të llojeve të ndryshme në rrjetin social “Facebook” .

Pas mbledhjes së informatave të nevojshme, i mituri është ftuar për t’u paraqitur në stacion dhe është pyetur për rastin.

Gjatë intervistës, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar t’i dorëzojë në mënyrë vullnetare armët të cilat i posedonte.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar Policinë që të shkojnë në shtëpinë e të dyshuarit për t’i sekuestruar armët.

Në prani të anëtarëve madhorë të familjes, krim teknikët i kanë sekuestruar dy pistoleta: “Bereta” model PX4, “Crvena Zastava” kalibri 9mm, tre karikatorë dhe gjashtëdhjetë fishekë të kalibrit 9mm.

Sipas Policisë Rajonale të Prizrenit, provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme sipas procedurës së rregullt ndërsa i dyshuari është liruar.