Miratohet në parim ndryshimi që mundëson suspendimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për shkelje disiplinore

Më 73 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim ndryshimin e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndryshimi një fjalë në ketë ligj pritet që t`i hap rrugë suspendimit të prokurove dhe gjyqtarëve jo vetëm për shkelje penale por edhe për shkelje disiplinore.

Pak para miratimit deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adan Rrustemi kërkoi nga kuvendi që ta miratoj projektligjin dhe ta evitoj gabimin teknik që ka qenë në ligjin paraprak.

“Ligji për përgjegjësinë përcakton shkeljet disiplinore, proceduat për fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore, sanksionet edhe mjetet juridike që lidhen me to. Ky proces i rëndësishëm ka hasur probleme në praktikë, përkatësisht në shqiptimin e suspendimit për gjyqtarë dhe prokurorë për shkelje disiplinore, dhe ndryshimi është për shkak të lëshimit në aspektin gjuhësor, pasi është ngatërruar”, tha Rrustetmi.

Ai shtoi se përmes këtij ndryshimi bëhet shmangja e këtyre pengesave teknike në ligjin bazik dhe rritet llogaridhënia në rritjen e integritetit të gjyqësorit.

Me miratimin e këtij projektligji u pajtuan edhe të gjitha grupet parlamentare të opozitës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se i vije mirë që Vetëvendosja tashmë po e përkrahë ligjin që para pak viteve e kundërshtonte.

“Po m`vjen mirë që nuk janë ndryshime të mëdha, por janë ndryshime që tregojnë se ka fillu ky ligj me u implementu mirë. Çështja disiplinore ka qalu për një kohë të gjatë, pasi ZPD nuk ka dhënë rezultate të mjaftueshme dhe në kohën kur e kam propozu unë ketë ligj ka qenë një ndryshim i madh. Atë kohë LVV nuk i kishte përkrah këto ndërsa sot po m`vjen mirë që po i japin përkrahje këtij ligji”, tha Tahiri.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministres Albulena Haxhiu e cila deklaroi se edhe sot kanë të njëjtat qëndrime sa i përket ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Është e vërtetë që LVV nuk e pati mbështetur si të tillë pasi kemi besuar siç besoj edhe sot që është më mirë që disiplinimi i gjyqtarëve të bëhet nga një institucion jashtë sistemit gjyqësor mirëpo ka qenë vullnet i Kuvendit dhe tani ju falenderoj për qëndrimin rreth ndryshimit”, tha ministrja.

Haxhiu nuk e la pa e përmendur edhe Vetingun i cili sipas saj pritet të jetë ndryshimi më i madh në sistemin e drejtësisë.

“Reforma më e madhe do të jetë vetingu, për cak i kam ftuar edhe opozitën për takime të veçanta që të flasim për ndërtimin e një konsensusi. Pas takimit me grupet opozitare do t`i ftoj edhe grupet minoritare për diskutim. Me 15 qershor nesër, finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në Sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Me miratimin e projektligjit u pajtua edhe deputeti Driton Selmanaj mirëpo i njëjti e kritikoi pozitën për ndryshimet e vogla në fjali që po u bëjnë ligjeve.

“LDK e ka shqyrtu këtë projektligj dhe japim përkrahje por dua të veçoj se është projektligji i dytë dhe ndryshimet janë tek një fjalë ose një fjali. Kjo praktikë e ndryshimit të ligjeve me një fjalë ose një fjali e bën më të vështirë qasjen e qytetarëeve”, tha Selmanaj.

Ligji për përgjegjësinë disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurove kishte hyrë në fuqi në fund të vitit 2018. Përmes këtij ligji disiplinimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve i është besuar Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Zbatimi i këtij ligji ka rezultuar me paqartësi rreth suspendimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkelje disiplinore dhe për këtë qëllim Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi sot në parim projektligjin i cili i hap rrugë suspendimit të tyre për shkelje disiplinore.

Haxhiu kërkon nga deputetët që të miratojnë ndryshimet në projektligjin për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve