Ministri në komision para mbylljes së mbledhjes | Foto: KALLXO.com

Ministri e Deputetët në Kërkim të Rivendosjes së Rregullit në Inspektorat Policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha sot se është në dispozicion për t’i ndërmarrë “të gjitha masat” në përpjekje për ta vendosur rregullin në Inspektoratin Policor të Kosovës, pas aferave që u shfaqën javëve të fundit rreth disa përgjimeve të cilat rezultuan me suspendimin e kreut të këtij institucioni.

Sefaj raportoi sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme.

Me kërkesë të tij, raportimi u bë prapa dyerve të mbyllura, ndërsa pas takimit ai e pranoi se në IPK ka pasur probleme.

“IPK i ka disa probleme dhe jemi duke punuar të gjithë se bashku (për të gjetur zgjidhje). Nevojitet që ai institucion të jetë i pastër e transparent dhe t’i zbatojë të gjitha kompetencat që i ka për të mirën e qytetarëve”, tha ministri Sefaj.

Anëtari i këtij komisioni Ismet Beqiri (LDK), tha se deputetët janë të interesuar të dinë se çka është duke ndodhur në këtë institucion.

“Jemi të interesuar të dimë se çfarë ka ndodhur tërë këto vite në IPK e polici. Ka raste kur ka pasur punë të mirë. Në fund do të jepet vlerësimi në lidhje me kryeshefin. Ajo që dëshirojmë si komision është që të kemi të gjitha informatat në lidhje me ketë rast”, tha Beqiri.

Ai propozoi që të dëgjohen të gjitha palët për situatën e krijuar në IPK.

“Ka gjëra që janë mshefë prej shumë viteve. Ajo që duhet bërë është të respektohet ligji. Nuk na duhet ndikimi politik në IPK. Jemi të interesuar për njerëz qe punojnë dhe pa ndikim. Mbetet edhe njëherë kam qenë dhe jam ithtar me i dëgju të gjitha palët”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Parlamentar, Haxhi Shala, nuk dha shumë detaje për përmbajtjen e takimit.

“Pasi të kryhen hetimet do të njoftoheni se në çfarë gjendje është IPK. Ne do të informohemi me veprimet e policisë. Është formu grupi për monitorimin e IPK-së”, tha Shala.

Anëtari i komisionit nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i dha mbështetje ministrit Sefaj për veprimet që ai tha se do t’i ndërmarrë.

“E kemi bërë formimin e grupit të monitorimit të IPK-së. Këtë duhet të shfrytëzojë ministria”, tha Selimi.

Deputeti nga NISMA, Milaim Zeka, ishte i ashpër në kritika ndaj krerëve të IPK-së.

Ai tha se gjatë takimit të sotëm i ka folur ministrit Flamur Sefaj për aferat e përgjimeve që, sipas tij, janë bërë nga ky institucion.

Më i kritikuari nga Zeka ishte kryeshefi i suspenduar i IPK-së, Hilmi Mehmeti.

“Ka qenë një departament i veçantë të cilët ka përgju prokurorët, gjyqtarët, gazetarët… madje edhe i kanë shantazhu. Kjo ka ndodh në mandatin e kaluar të Hilmi Mehmetit. Përpos kësaj ka qenë komisioni që ka bërë shkelje drastike. Në momentin kur në Policinë e Kosovës ndodh që përgjohen prokurorët, kryeprokurorët kjo është e tmerrshme. Kjo krijon pasiguri te të gjithë”, tha Zeka.

Por ministri Sefaj nuk ka dhënë përgjigje në dyshimet e Milaim Zekës.

“Përmendet por nevojiten fakte juridike për të marrë një konstatim të tillë. Jam në dispozicion të marr të gjithat gjasa për të mirë të qytetarëve”, tha ministri i Punëve të Brendshme.