Foto: KALLXO.com Ilustrim

Policia jep detaje për tre të arrestuarit që u paraqitën si Inspektorë policorë në Prizren

Tre persona janë arrestuar në Prizren për shkak se u paraqitën si inspektorë të Policisë.

Më datë 15 nëntor, rreth orë 19:00 janë arrestuar tre të dyshuarit që kishin shkuar në një fabrikë në Prizren. Aty sipas njoftimit nga Policia të dyshuarit kishin shkuar kinse për të nxjerrë një borxh.

Të dyshuarit janë prezantuar në emër të një zyrtari të lartë të Inspektoratit.

Hetuesit pas pranimit të informatës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi që mblodhën provat dhe dëshmitë u kuptua se të dyshuarit nuk ishin pjesëtarë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Të tre të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar në Prishtinë.

Vepra është pranuar nga të dyshuarit në prani të avokatëve.

Prokurori ka vendosur që dy të dyshuar të ndalohen për 48 orë kurse i arrestuari i tretë shkoi në procedurë të rregullt.

U prezantuan rrejshëm si pjesëtarë të IPK-së, arrestohen nga Policia