Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet për siguri dhe planet e partive lidhur me legalizimin e prostitucionit, marihuanës e kazinove

Përfaqësuesit e partive politike nga LDK-AKR dhe AAK shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për sigurinë në #DebatPernime.

Kandidatët për deputetë Flamur Sefaj (LDK-AKR) dhe Selim Selimi (AAK) premtuan që nëse vijnë në pushtet do të reformojnë sigurinë duke ndryshuar infrastrukturën ligjore për shpërlarjen e parave, krimet ekonomike brenda Policisë, rregullimin e kazinove dhe lojërave të fatit, prostitucionit dhe trafikimit me qenie njerëzore e ndalimin e trafikimit të dogës si dhe rregullimin e sigurimit shëndetësor në Policinë e Kosovës.

 

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj në mesin e shumë premtimeve për sigurinë premtoi përgjimin e mikrodilerëve.

“Ka ardhur momenti që nga niveli i përgjimit të mikrodilerëve të ngritet në nivel nacional pra në makronivel. Të aktivizohet niveli elitar, të bëhet përgjimi i makrodilerëve” deklaroi Sefaj.

Sefaj tha se për të ndaluar trafikimin me drogë se duhet të ndahet buxhet i veçantë dhe vëzhgimi i kufijve të bëhet përmes dronëve.

Ndërsa, ministri në detyrë i Drejtësisë  Selim Selimi tha se për të luftuar trafikimin e  drogave e kanë prioritet ngritjen e kapaciteteve të inteligjencës policore, ndërtimin dhe fuqizimin e njësiteve të specializuara të drogës, përgjimin dhe masat e përcjelljes e trajnimine  prokurorëve në mënyrë që të jenë më efektiv.

“Në fuqizimin e policisë, ne e kemi në plan të ndërtojmë dhe fuqizojmë këto njësitë të specializuara, siç janë ato të drogës. Një ndër shkaqet që ka rënë numri i konfiskimit të drogave, është për shkak të qasjes ndaj kësaj teme nga më parë” tha Selimi.

Ndërsa për krimet ekonomike brenda Policisë së Kosovës, kandidati i LDK-së, Flamur Sefaj tha se duhet të rishqyrtohet dhe rishikohet hierarkia te Krimet Ekonomike, të ndërpriten lidhjet e hetuesve me bizneset dhe institucionet e ndryshme. 

“Mungon llogaridhënia në këto reparte. Duhet të rishikojmë dhe rishqyrtojmë repartet e krimeve ekonomike që të arrijmë të ndërpresim lidhjen që këta zyrtarë ose hetues mund të kenë me biznese ose institucione në veçanti me administratën publike në nivel komunal”, tha Sefaj në DebatPernime.

Ndërsa Selimi nga AAK tha se në Ligjin e Procedurës Penale parashihet që të suspendohen menjëherë zyrtarët që kanë aktakuzë për korrupsion.

Sipas Flamur Sefajt, prokurimi publik është i prekur më së shumti nga korrupsioni dhe se kontrolli i implementimit të kushteve parashihet me kontratë. Ai tha se duhet të intervenojnë në fazën e hartimit të kontratave.

“Kriteri i çmimit më të ulët është i gabueshëm, duhet të bëhet përzgjedhja e çmimit optimal, duhet të ndërhyjmë menjëherë që ta rregullojmë këtë” deklaroi Sefaj.

Ai premtoi që do të bëjnë verifikimin e pasurisë të të gjithë zyrtarëve që janë në prokurim, si gjurmë për fillim të hetimeve. Sefaj tha se duhet të jetë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale dërgimi i rasteve nga OShP-ja në Prokurori.

Ndërsa, Selim Selimi tha se mungesa e anëtarëve në OShP ka qenë gjithmonë problem, se kriteret për të qenë anëtar i panelit të OShP-së janë të larta. 

“Anëtarët e OShP-së duhet t’i dërgojnë veprat penale në Prokurori se moskallëzimi i veprës penale është vepër penale. Duhet të bëhet një intervenim edhe në çështjet e OShP-së. Nëse ndonjë anëtar i OShP-së sheh dyshim të bazuar se ka vepër penale atëherë duhet të dorëzojnë kallëzim penal se nëse i lihet në dorë prokurorit atëherë ata do të jenë më të ngarkuar” tha Selimi.

Kurse për çështjen e lojërave të fatit dhe kazinove dhe atyre online, Sefaj tha se mund të legalizohen nëse kontrollohen, për shkak se bizneset e tilla hapin vende pune dhe gjenerojnë të hyra. Sipas tij kazinotë janë gjë normale në vendet e civilizuara të botës të cilat lidhen me turizëm me resorte dhe aktivitete tjera kulturore.

“Ne mendojmë që vendimet e tilla nuk duhet ngutur. Duhet të bëjmë analizë edhe sociale edhe konomike. Analiza ekonomike është që aktivitetet e tilla që rregullohen me ligj që caktohen territoret që mund të caktohen me legalitet mund të gjenerojnë të hyra dhe vende të punës dhe do të jenë nën kontroll”, tha Sefaj.

Ndërsa Selim Selimi tha që rregullimi i kazinove dhe lojërave të fatit duhet të ndodh menjëherë.

“Unë mendoj që plani do të ishte i mirë është që të rregullohen lojërat e fatit. Ka rregullime që shtrihen në të gjithë territorin ose vetëm në territore të caktuara nëpër Kosovë u shpreh Selimi.

Por, për legalizimin e prostitucionit në Kosovë dhe zhdukjen e trafikimit me qenie njerëzore Sefaj tha se legalzimi i prostitucionit do të luftonte krimin e organizuar, por edhe do te prekte thellë vlerat morale të shoqërisë.

“Legalizimi do të luftonte krimin e organizuar që lidhet ngushtë me prostitucionin, pastaj me trafikim të qenieve njerëzore. Por, duhet të parashohim çështjen sanitare dhe mjekësore për shkak të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse” tha Sefaj.

Ndërsa, Selimi tha që Kosova është vend transit i përkohshëm i trafikimit me njerëz dhe se trafikimi pas Kosovës vazhdon për në shtetet fqinje.

“Prostitucionin ne e kemi kthy strehimoren nga MPMS në Ministri të Drejtësisë por kemi pa një rënie të viktimave me destinim prostitucionin. Të forcohet komunikimi mes Policisë dhe kësaj strehimore” tha Selimi.

Kurse për legalizimin e marihuanës për çështje shëndetësore Sefaj tha duhet të konsultohen me bashkësitë fetare për shkak të vlerave etike e morale.

“Ne si politikanë e bëjmë. Por ne si shoqëri a jemi të përgatitur? Duhet të bëjmë kujdes për shkak të keqpërdorimit e saj për shkaqe për përfitimit” tha ai.

Selim Selimi ka thënë se marihuana duhet të legalizohet, por për qëllime shëndetësore. Sipas tij, kjo do të ndikonte edhe në rritjen e buxhetit por edhe në krijmin e vendeve të reja të punës.

“Unë mendoj që ka fakte të mjaftueshme shkencore të cilat e kanë vërtetuar që përdorimi shëndetësor i marihuanës ka efekte pozitive, kemi shtete të zhvilluara që e kanë bërë legalizimin e përdorimit shëndetësor të marihuanës siç janë ShBA, por edhe Maqedonia. Unë mendoj që duhet të përkrahim një iniciativë të tillë për shkaqe shëndetësore, pra për pacientë, por edhe për shkaqe të krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së buxhetit”, ka deklaruar Selimi.

Përveç këtyre Flamur Sefaj premtoi që do të punojnë në infrastrukturën ligjore për shpëlarjen e parave dhe evazionin fiskal  me të gjitha agjencitë që janë të kyçura në ndjekjen e këtij krimi.

Ndërsa Selimi premtoi  krijimin e një task-force për luftimin e korrupsionit që do t’i ngjajë FBI-së. 

Sipas tij, kjo byro do të merret edhe me pastrimin e parave dhe evazionin fiskal dhe se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do iu ndihmojnë në marrjen e informatave në këtë aspekt. Ndërsa për pajisjet e Policisë Selimi dhe Sefaj pretuan që do të punojnë për modernizmin e tyre.

Sipas Selimit, pajisja e Policisë do të bëhet  me kamera trupore, pajisje të përgjimeve, armët moderne.

“ Mbikëqyrja e të arrestuarve kemi paraparë çështjen e hallkave mbikëqyrëse, Policia me MPB të paraqitet me këto pajisje. Nisma për ndërrimit të Rregullores për blerjen e hallkave të personave që janë nën mbikëqyrjen e shërbimit sprovues” deklaroi Selimi.

Ndërsa, Sefaj tha se mbikqyrja e personave nën arrest shtëpiak do të bëhet me pajisjen me hallkat mbikëqyrëse p do të imponohet nga standardet kjo lidhet me të drejtat elementare të njeriut. 

Për sigurimin shëndetësor të policëve të Kosovës, Selim Selimi tha që dy ligjet për sigurim shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm për Policinë, do t’i bëjnë në vitin e parë të qeverisjes. Kurse Sefaj tha që sigurimi shëndetësor, sigurimi i jetës, pensionimi i parakohshëm, pagesa e orëve shtesë për Policinë e Kosovës do të përfundojë brenda një viti e gjysmë nëse përfshihen të gjitha palët e interesit.

Kandidati për deputet nga LDK në lidhje me Policinë, tha që duhet të shkëputet nga Inspektoriati Policor i Kosovës dhe duhet të rriten sanksionet mbi zyrtarët e IPK-së të cilët nuk arrijnë t’i implementojnë verifikimet dhe konstatimet e tyre.

Selimi tha që implementimi i rekomadimeve për Policinë nga Inspektoriati mund të ndodhë me ndryshimin e ligjit të Policisë së Kosovës ose IPK-së ose me ndonjë rregullore të brendshme të Policisë.

 Ministri në detyrë i Drejtësisë, tha se testimi për përdorim të drogave duhet të rregullohet që të jetë i përhershëm, ndërsa ka premtuar se për policët, pjesëtarët e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe ushtrave të FSK-së, do të bëhet kohë pas kohe.

“Është e rëndësishme që të bëhen në pranime të personave të sigurisë testet e drogës. Ekzistojnë mënyra të rregullimit të brendshëm të këtyre institucioneve që të bëhet testi i përhershme i cili bëhet në periudha të caktuara kohore, me elementin e befasisë. Policia duhet ta rregulloj këtë, AKI-ja gjithashtu”, ka thënë Selimi.

“Sigurisht që po, pra testimi për drogë duhet të shtrihet në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë, policinë, AKI-në e ushtrinë që të bëhet i kohë pas kohëshëm me elementin e befasisë”, deklaroi kandidati për deputet nga AAK.

Ai premtoi edhe rritje të rrogave për policët e Kosovës në mbi 700 euro.