Ilustrim

Ministri, apel qytetarëve: Mos ndezni goma për 1 Maj 

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi me rastin e ditës ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Maj, ka apeluar që të mos ndezin goma dhe gjësendet tjera që ndotin mjedisin.

Ministri Matoshi po ashtu ka kërkuar zyrtarisht nga Komunat dhe Policia e Republikës së Kosovës që të ndërmarrin masa për parandalimin e dukurive të tilla negative dhe ndaj personave të cilat veprojnë në kundërshtim me rregullat të shqiptohen masat ndëshkuese konform Udhëzimit Administrativ Nr.06/2018 për Ndëshkimet me Gjobat Mandatore dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndëshkimet do të jenë në bazë të Ligjit për mbrojtjen e ajrit dhe gjobat mandatorë do të jenë deri në 100 euro.

Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës.

Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.