Sokol Bashota, kryetar i komunës së Klinës

Millaku: Aktakuza Ndaj Bashotës 'e Motivuar Politikisht'

Avokati i Sokol Bashotës, kryetarit të Komunës së Klinës, thotë se aktakuza ndaj klientit të tij është e motivuar politikisht nga qarqe të brendshme apo të jashtme.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati Haxhi Millaku tha gjithashtu se aktakuza nuk është e mbështetur në prova.

“Krejt ato çka i ka marrë prokuroria janë të pjesshme, të pabazuara, të pambështetura dhe të paligjshme. Qëllimi është të eliminojnë një njeri të luftës dhe të paqes dhe interesi është i grupeve nga brenda dhe jashtë”, tha avokati.

Millaku tha se ende nuk e ka pranuar aktakuzën dhe nuk mund të deklarohet për akuzën që e rëndon mbi Bashotën.

Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur dje aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Komunës së Klinës, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Dy prej tyre të dyshuarve akuzohen edhe për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të hyrave/të ardhurave, dhuratave, dobive materiale të tjera ose detyrimeve financiare.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Administratës së Komunës së Klinës, Esat Raci, aktakuzën e cilësoi “tërësisht të pabazuar dhe qesharake”.

http://kallxo.com/raci-e-quan-qesharake-aktakuzen-ndaj-tij/