Mësimet Ligjore nga Rasti i Shyhretes

Lufta e fundit në Kosovë e la Shyhrete Berishën pa burrin dhe katër fëmijët e saj. Ndërsa, gati 17 vjet pas përfundimit të luftës ajo po vazhdon betejën e një natyre tjetër në gjykimin me familjarët e burrit për të drejtën që ta gëzojë shtëpinë ku para luftës jetoi me burrin e saj.

Shtëpia ku çifti jetoi për shumë vite është e regjistruar në emër të vjehrrit të Shyhretes. Ligji aktual i Trashëgimisë nuk e njeh Shyhreten si trashëgimtare të pasurisë së vjehrrit.

Trashëgimtarët njihen vetëm në vijën e gjakut. Pra, në rastin e Shyhretes burri i ndjerë, Nexhati, dhe fëmijët, po ashtu të vrarë.

Avokati Naim Qelaj është i mendimit se Ligji aktual i Trashëgimisë është diskriminues në ndarjen e trashëgimisë për gratë.

Neni 12 i Ligjit të Trashëgimisë sipas Qelajt e diskualifikon Shyhreten nga e drejta e trashëgimisë.

“Pasi që pasuria ka qenë në emër të babait të burrit të Shyhrete Berishës, trashëgimtarë sipas këtij neni janë fëmijët dhe bashkëshortja e vjehrrit të Shyhretes, por jo edhe Shyhretja, pasi që me këtë kornizë ligjore reja nuk mund të jetë trashëgimtare e vjehrrit”, thotë Qelaj.

Sipas tij, problem paraqet edhe neni 13 i Ligjit të Trashëgimisë, i cili në raste kur vdes trashëgimmarrësi e garanton të drejtën për trashëgimi vetëm për fëmijët e jo edhe për bashkëshorten.

Iniciuar nga trajtimi i rastit të Shyhretes, avokati Qelaj është i mendimit se ndryshimet në Ligjin e Trashëgimisë duhet të ndodhin shumë shpejt.

“Besoj që në të ardhmen kemi m’e pasë raste të tilla të ngjashme dhe besoj që duhet të jetë një rast që të reflektojë në ndryshimet ligjore që janë përfillur kohëve te fundit sa i përket të drejtave të grave në trashëgimi”, thotë Qelaj.

Profesori i Fakultetit Juridik, Hamdi Podovorica, ka mendim tjetër për këtë çështje. Sipas tij, reja nuk mundet të trashëgojë vjehrrin, por ajo në kësi rasti ka te drejtë në pasurinë e përbashkët që ka krijuar në jetë me burrin.

Deputetja Lirie Kajtazi, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e Pagjetur dhe Peticion, thotë se kanë filluar të mendojnë për ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë.

“Ka nevojë të plotësohet dhe ndryshohet ky Ligj, pikërisht për këto raste dhe unë si deputete jam që të plotësohet ky Ligj në favor të të drejtave të grave”, thotë deputetja Kajtazi.

Ligji për Trashëgiminë ka hyrë në fuqi në vitin 2004 dhe që nga ajo kohë nuk ka kaluar në procedura të draftimit dhe rishqyrtimit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin gjyqësor të Shyhrete Berishës.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-nuk-e-pranon-banesen-ne-prishtine-kerkon-shtepine-e-vet/