Dosja e Prokurorisë për barnat nga Kina që u lejuan të futeshin në Kosovë

Ilir Dushi, i akuzuar nga prokuroria se si zyrtar në AKPPM bashkë me të akuzuarin tjetër Bersan Kolgeci kanë lëshuar 435 mijë e 124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm” ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë.

Sipas prokurorisë, Ilir Dushi ia ka mundësuar kompanisë “Prima Pharm” që t’i nxjerr në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Ilir Dushi e Bersan Kolgeci nuk është dashur ta lëshonin një rekomandim të tillë për arsyen se kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP (Praktikën Mirë Prodhuese).

I akuzuari Dushi deklaroi se lidhur me këtë çështje penale ka dhënë deklaratë në polici dhe në prokurori dhe se nuk qëndron pranë atyre deklaratave.

“Në polici dhe prokurori kam dhënë deklarata për banderola të kaltra dhe jo për banderolat e kuqe që janë objekt i kësaj aktakuzë”, theksoi Dushi.

Ai tha se, nuk kanë bërë asnjë marrëveshje paraprake me të akuzuarit tjerë lidhur me lëshimin e banderolave të kuqe pasi ka qenë e pamundur, sepse këto banderola nuk janë subjekt i AKPPM-së.

“Banderolat e kuqe pikësëpari nuk shtypen, por shtypen ato të kaltrat, banderolat e kuqe i shpërndan Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk ka kapacitete softuerike, harduerike, dhe humane/ njerëzore”, tha i akuzuari.

Dushi theksoi se kur janë lidhur kontratat për insulinë dhe kur është lëshuar leja e importit të dërgesave më 24.5.2011, nuk kishte qenë i punësuar në AKPM, e as në institucione tjera publike.

Për Inspektorin Bastri Rexha, Dushi deklaroi nuk kishte marr pjesë në përpilimin e raportit për subjektin ‘Asgeto’ dhe nuk figuron në raportin përfundimtar dhe ka qenë e pamundur të ushtrohet ndikim ndaj inspektorit Bastri Rexha, sepse ekziston kryeshefi dhe kryeinspektori dhe komunikimi kalon përmes tyre dhe jo te vartësit e tij.

“Ata varen nga kryeinspektori i tyre i cili përgjigjet direkt Ministrisë se Shëndetësie dhe për ketë ekziston udhëzimin administrativ i paraqitur si provë nga ana ime”, tha i akuzuari Dushi.

Ai deklaroi se “Tërheqjen e insulinave në tërë territorin e Kosovës e ka kërkuar AKPPM, ndërsa insulinat për rastin që po diskutojmë e ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë. Hyrja e insulinës në rastin konkret ka qenë në kompetencë të Doganës së Kosovës.

Gjatë deklarimit, Dushi theksoi se në rastin me ‘Asgeton’ është marrë i gjithë inspektorati, me përjashtim të zotit Bastri Rexha i cili në atë kohë ka qenë i pezulluar nga puna.

“Pas raportimit të rastit ne kemi kërkuar mbylljen e operatorit ‘Asgeto’, inspektorati ka ndërmarr masa por nuk e di pas sa kohësh ka përgatitur raportin, na ka dorëzuar neve gjithashtu një kopje të raportit si dhe operatori ekonomik ‘Asgeto’ është dënuar me gjobë në shumë prej 10,000 euro”, tha ai.

Seanca është ndërprerë për të vazhduar më 5.2.2020, sepse njëri nga anëtarët e trupit gjykues kishte caktuar shqyrtim gjyqësor.

Gjykata e Prishtinës më 23 shkurt 2018 kishte dënuar Kolgecin e Dushin me nga 6 muaj burgim, ndërsa e liroi zyrtarin tjetër të kësaj agjencie Haki Ejupin.

Edon Hajrullaga, pronari i Kompanisë “Prima Pfarm” u dënua me gjobë prej 10 mijë eurove.

Gjykata u kishte mundësuar  zyrtarëve Bersan Kolgeci e Ilir Dushi që dënimin me burgim të mund ta kthejnë në dënim me gjobë, duke paguar nga 20 euro për çdo ditë të dënimit.

Ndërsa me datën 14 dhjetor 2017, Gjykata e Apelit e ktheu  çështjen në rigjykim nën arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimi bashkë me pjesën ndëshkuese të lëshuar nga Gjykata Themelore ishte “i paqartë dhe i pakuptueshëm”.

 

Të akuzuarit për keqpërdorim me banderola të ilaçeve nuk vijnë në gjykatë

.