Detaje nga seanca ndaj zyrtarëve të akuzuar të Komunës së Prishtinës

 

Në fazën e prezantimit të provave, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitari Kolë Ramaj i propozuar nga Prokuroria e shtetit, në çështjen penale ndaj të akuzuarve Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi lidhur me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Dëshmitari Kolë Ramaj e njoftoi gjykatën se në lidhje me këtë çështje penale kishte dhënë deklarata dy herë, një herë para prokurorit të shtetit në cilësinë e dëshmitarit dhe një herë para policisë hetuese dhe atë në cilësinë e personit të dyshuar sipas urdhërit të prokurorit të shtetit, për të njëjtën çështje penale.

“Përderisa nuk më dorëzohen procesverbalet e marrjes në pyetje në cilësi të personit të dyshuar unë refuzoj të jap deklaratë në këtë shqyrtim gjyqësor”, theksoi dëshmitari.

Në lidhje me deklarimet e dëshmitarit Kolë Ramaj, prokuroja e shtetit Merrushe Llugiqi, e njoftoi gjykatën se veprimet hetimore për të cilat flet tani dëshmitari janë marrë në një fazë të procedurës kur çështja ka qenë në departament të përgjithshëm dhe ka qenë i kyçur një prokuror tjetër.

Prokurorja gjithashtu shtoi se “Nëse dëshmitari ka pas nevojë me ardhë me i marrë deklaratat është dashtë me ardh në Prokurori para se me ardh këtu, e jo me thanë unë nuk dëshmoj pa mi dhanë qato”.

Në pyetjen e kryetarit se a mbeteni pranë propozimit që dëshmitari Kolë Ramaj të dëgjohet, në këtë çështje penale, prokuroja e shtetit deklaroi se “Mbetem pranë propozimit nëse ky fillon me fol, por nëse thotë ‘jo unë ma nuk foli’, unë dëshmisë së tij më nuk i besoj dhe heq dorë nga propozimi për dëgjimin e këtij dëshmitari”.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve deklaratën e dëshmitarit Kolë Ramaj e konsideruan si të panevojshme për t’u dëgjuar.

Pas këtyre rrethanave kryetari i trupit gjykues e liroi dëshmitarin Kolë Ramaj nga dhënia e dëshmisë.

Prokurorja e shtetit i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohen dëshmitarët Abaz Makolli, Nexhmije Ibërdemaj, Dafina Rudaku, Arbënore Halilaj, Shkëndije Jashari dhe Shaip Musliu, të cilët janë persona zyrtar që punojnë në arkivin komunal të Prishtinës.

Lidhur me propozimin e prokurorisë së shtetit nuk u pajtua mbrojtësi i të akuzuarës Nexhmje Krasniqi, avokat Artan Qerkini.

Gjykata pas marrjes së arsyetimit më të zgjeruar në lidhje me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga ana e prokurorisë, e aprovoi propozimin e prokurores së shtetit që në ketë çështje penale të dëgjohen dëshmitarët e lartpërmendur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Sipas pretendimeve të prokurorisë i pandehuri Shasivari, gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, dhe kishte pranuar dokumentin e falsifikuar, pa i përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Naim Shasivari, si shef i depos një kopje të kësaj marrëveshje ia kishte dorëzuar palës, tani të ndjerit Mirosllav Joksimoviq, i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt sipas Prokurorisë këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi akuzohet se në pozitën e ndihmës arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me ç`rast , në kërkesën e Zyrës Kadastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Komunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e policisë më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.

Sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi të njëjtin dokument, marrëveshjen e arondimit, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, Mirosllav Joksimoviq.

 

Mungesa e prokurores shtyen gjykimin ndaj zyrtarëve të Arkivit Komunal të Prishtinës

.