Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Ish-vozitësit e dëmtuan buxhetin e AKP-së me fatura fiktive

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Ejup Gashi, Istref Dragusha , Arsim Leci, Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Arsyeja e dështimit ishte mungesa e  ekspertit financiar, Mentor Prekazi, i cili ishte propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Istref Dragusha, avokati Fis Murati.

Avokati ka propozuar që eksperti të thirret edhe një herë, pasi që, sipas tij, klienti i tij nuk e kishte ditur rëndësinë e marrjes në pyetje kur Mentor Prekazi ishte marrë në pyetje në seancat e kaluara.

Këtë avokati e arsyetoi me faktin se klienti i tij nuk ka pasur mbrojtës, ndonëse Gjykata e kishte udhëzuar ta angazhonte një avokat në çdo fazë të procedurës.

Në seancë nuk prezantoi as i akuzuari Petrit Gjoka.

I akuzuari Nexhat Gjoka për të akuzuarin Petrit Gjoka tha se është i shtrirë në spitalin e mushkërive që nga e diela e kaluar.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha nga data e papërcaktuar e deri në përfundim të vitit 2013, në cilësinë e personave zyrtarë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Amir Demolli ishte mbikëqyrës i transportit dhe vozitës, ndërsa Abdurrahim Abdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha ishin vozitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të këtij institucioni.

Ata akuzohen se kanë siguruar e më pastaj kanë prezantuar fatura fiktive se gjoja kanë mbushur me derivate të naftës në “Hib Petrol” dhe te nënkontraktori i kësaj kompanie – “Fer Petrol”, me seli në Komoran dhe Drenas, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtarë të të cilit kanë qenë ata në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në vlerë rreth 7.659.00 euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer në vazhdimësi veprën penale keqpërdorim  i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza thekson po ashtu se i akuzuari Abdurrahim Abdyli ka vazhduar me kryerjen e veprës penale.

Prokuroria pretendon se në periudhën kohore janar- mars të vitit 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë,  në cilësinë e personit zyrtar – vozitës me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të  kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që më parë është furnizuar e më pastaj në mënyrë të rrejshme ia ka prezantuar faturat komisionit, me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate automjetet zyrtare, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumën rreth 2.800 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit Petrit Gjoka, Nexhat Gjoka nga data e papërcaktuar e deri në muajin mars të vitit 2014, në pikat e shitjes së kompanisë “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka në cilësinë e menaxherit ndërsa Nexhat Gjoka në cilësinë e shitësit në ”Fer Petrol” kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve Amir Demollit, Arsim Lecit, Ejup Gashit dhe Istref Dragushës, vozitës në AKP, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumën 10.459.00 euro.

Me këtë secili veç e veç në vazhdimësi kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.