Mësimet e Politikës nga Zgjedhjet në Drenas

Megjithëse zgjedhjet po mbaheshin në një komunë që deri më tani ka qenë bastion i PDK-së,kjo parti u nda e zhgënjyer me rezultatin që mori në fund të ditës.

Rezultati i thërret votuesit të dalin sërish para kutivetë votimit për të zgjedhur mes Ramiz LLadrovcit të PDK-së dhe Isa Xhemajlajt të NISMA-s.

Ata do të përballen prapë për të parin e komunës së Drenasit më 18dhjetor

Kjo është hera e parë që nga paslufta që zgjedhja e Kryetarit të Drenasit do të përcaktohet në rundin e dytë të zgjedhjeve.

Analisti politik, Bajrush Morina tha për KALLXO.com se rezultati i këtyre zgjedhjeve është një goditje për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kreun e saj, Kadri Veseli.

“Ky rezultat do të duhej të ishte mësimi më i mirë ose duhet të jetë flakaresha më e mirë për Kadri Veselin, Partinë Demokratike që të këndellen dhe të kuptojnë realisht fuqinë e tyre politike në Drenicë duke e pranuar faktin se nuk janë më bastion në Drenicë”, tha Morina.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lladrovci  ka marr 9,270 vota ose 43.88 për qind ndërsa Xhemajlaj 5.333 ose 25.24 për qind.

Sipas analistit Morina, rënia e votave të PDK-së në Drenas krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013 ka disa arsye.

“E para mendoj që dënimet e ish kryetarit Nexhat Demaku sigurisht që lënë pasoja. E dyta mendoj që kësaj radhe Partia Demokratike ia ka huqë me kandidatin e vet z. Lladrovcin”, tha Morina.

Në mënyrë ironike, Morina tha se kontributi i vetëm i Lladrovcit për Drenicën është “ndërtimi i një shtëpie luksoze që do t’i kishte lakmi edhe Donald Trump”.

http://kallxo.com/shtepia-e-ramiz-lladrovcit-e-xhiruar-nga-droni/

Por ai mendon se tashmë kishte ardhur koha që në Drenas “të hiqet” flamuri i PDK-së dhe të thehet bastioni i këtij subjekti politik.

“Unë do të doja që për hir të demokracisë, që Drenasi të ketë një kryetar të ri dhe mbi të gjitha z. Xhemajlaj ta kenë kryetar të tyre i cili para, gjatë dhe pas luftës kanë punuar, ka kontribuar në Drenas. Prandaj nuk e di pse duhet që Drenasi ta ketë gjithmonë flamurin e Partisë Demokratike  dhe ka ardhur koha që ky flamur të hiqet nga kjo komunë”, pohoi ai.

Ndërsa Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se Drenasi ka dëshmuar se mund të organizojnë zgjedhje të mira edhe pse potencoi se ka pasur disa parregullsi që sipas tij kanë qenë të izoluara.

“Ajo çka ka rënë në sy nga vëzhgimi ynë është se ka akoma prezencë të fotografimit të votës që është një votë që mund të jetë e korruptuar. Pastaj ka pasur kur një person që ka asistuar më shumë se një herë votuesve për të votuar që është një shkelje e rregullave të zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

Gjatë procesit të vëzhgimit sipas Krasniqit është evidentuar se ka pasur edhe raste ku jashtë vendvotimeve ka pasur prezencë të grupeve të ndryshme që sipas tij kanë ushtruar presion ndaj votuesve.

“Parregullsitë dhe ato incidentet kanë qenë të izoluara në pika të caktuara dhe nuk mendoj që është diçka në mënyrë të organizuar që kanë pasur ndonjë tendencë për manipulim të votave,” tha ai.

Krasniqi thotë se gara e dy kandidatëve Lladrovcit dhe Xhemajlaj  do të jetë më e tensionuar në  raundin e dytë ku pritet të zgjidhet kryetari i Komunës së Drenasit.

“Do të shohim se tash gara do të jetë më e tensionuar për shkak se është vendimtare dhe janë dy kandidat në garë. Partitë e dinë bazën se sa e kanë përqindjen e caktuar të elektoratit, ku i kanë trupën e tyre votues dhe koncentrimin do ta bëjnë më strategjike se ku duhet të synojnë më shumë vota”, tha Krasniqi.

Në këto zgjedhje kanë votuar 21 mijë e 318 votues ose 40.55%. Ndërsa të drejtë vote kanë pasur 52 mijë e 569 votues.