Jean-Claude Van Damme. Foto: Instagram/JCVD

Lladrovci: Van Damme po vjen në Kosovë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se artisti Jean-Claude Van Damme do të vijë në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram ku ka thënë se Van Damme është një mik i Kosovës e një artist i mirënjohur.

“Ai shumë herë e deklaroi se ka shumë miq shqiptarë, artistë e sportistë, madje bëri shumë herë edhe shqiponjën si shenjë respekti për ne” – tha Lladrovci.

Kryetari shtoi tutje se miku i tij, Kushtrim Musliu ka miqësi me artistin e madh Van Damme, i cili vjen në Kosovë, për të promovuar markën e orëve të njohura Helfer, nga Zvicra.

Tutje ai tha se beson që do t’i pëlqejë Kosova, pasi me dekada sipas tij është në shoqëri të vazhdueshme me shqiptarët në botën e filmit dhe jetën e përditshme.

Jean-Claude Van Damme ka lindur më 18 tetor të vitit 1960 në Bruksel. Artisti belg u bë i njohur me filmin “Cyborg” të vitit 1989. Ai është profesionist i arteve marciale, aktor, prodhues filmash dhe koreograf i ndeshjeve nëpër filma.