Kuvendi i Kosovës

Mbyllja e materniteteve, shqetësim i deputetes Baftiu

Deputetja e PSD-së Besa Baftiu, shprehu një shqetësim lidhur me mbylljen e materniteteve nëpër komuna. Ajo drejtoi pyetje për ministri e Shëndetësisë, Uran Ismaili se a do t`i funksionalizojnë maternitetet apo do vazhdojnë t`i mbyllin.

“Shqetësimi im është me pamundësinë e grave shtatëzëna të marrin shërbime dhe të lindin në maternitetin më të afërt ku jetojnë. Në disa nuk ka mjek disa janë mbyllur. A do t`i funksionalizoni maternitetet dhe t`i fuqizoni, apo do të vazhdoni t`i mbyllni siç po ndodh tani”, shtroi pyetje Baftiu.

E Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë, tha se Ministria nuk mbyll maternitete dhe se kjo është bërë nga komunat.

“Ka një diskrepancë mes lindjeve që ndodhin në spitale dhe atyre që ndodhin në maternitet. Kjo ka shkaktuar që disa nga QKMF-të i kanë mbyll maternitetet. Ministria nuk ka mbyll maternitete kjo është bërë nga komunat me vendime të tilla arsyetimi është se nuk është kost- efektive”, tha Ismaili.

Sipas tij për mbylljen e këtyre materniteteve komunat nuk kanë marr pëlqimin nga Ministria edhe pse është dashtë të marrin.

“Duhet bërë një presion edhe te kryetarët e komunave të ndajnë buxhet që t`i mbajnë maternitetet edhe nëse nuk ka lindje të mjaftueshme të mbetet këshillimore për gratë shtatëzëna”, tha Ismaili.