Mbyllet pa vendime mbledhja e qeverisë

Ndonëse me 15 pika të rendit të ditës, mbledhja e qeverisë së ‘dorëhequr’ është mbyllur pa u marrë asnjë vendim për shkak të dilemës ligjore nëse duhet të merren vendime apo jo.

Për këtë kryeministri në largim ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një interpretim të shpejtë nëse qeveria e tij ka të drejtë të marrë ndonjë vendim.

“Unë kam besu dhe besoj edhe sot që ne e kemi detyrë të mos krijojmë vakum qeverisës. Sido që te jetë, me këto pasiguritë ligjore, mua më duhet ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Dalja prej kësaj gjendje është që mua si kryetar Qeveria më duhet një mbulesë ligjore”, tha Haradinaj.

Tutje Haradinaj iu lut Gjykatës Kushtetuese që ta trajtoj me urgjencë kërkesën e tij.

“Mundemi me e lut Gjykatën Kushtetuese që për shkak të situatës ta trajtoj me urgjenca. Do ti kërkoj zyrën ligjore që ta përgatis pyetjen për Gjykatën Kushtetuese. Është ma mirë të veprojmë sa më shpejtë e mos të humbasim kohë”, tha Haradinaj.