Mbi 1.6 Milion Euro për ‘Veteranët e Vërtetë’

Qeveria e Kosovës ndau sot një shumë prej mbi 1.6 milion euro për pagesat për veteranët e UÇK-së për muajin shtator.

Në mbledhjen e qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se këto para që po u ndahen veteranëve janë për muajin shtator, e jo për muajt tjerë.

Sipas tij, në buxhetin e këtij viti, kanë qenë 32 milionë euro që janë ndarë për veteranët, ndërsa me rishikimin e buxhetit, këto kategori ka marrë edhe 7 milionë të tjera.

“Kërkojmë nga qeveria edhe 1 milion e 685 mijë euro nga rezerva e buxhetit të shtetit për muajin shtator, jo për tre muajt tjerë që pritet të gjejmë zgjidhje”, tha Abrashi.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa kërkoi që pagesat e tilla të mos i paraqesin qeverisë probleme në projektet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Do të bisedojmë që bashkë të gjejmë një zgjidhje, kemi bisedu edhe me kryetarin e kuvendit dhe do të koordinojmë mundësinë për me dalë nga kjo situatë. Këto mjete t’i marrin ata që i meritojnë, veteranët e vërtetë”, tha Isa Mustafa.