Angela Merkel - Foto: Facebook

Mbështetja për konservatorët e Merkelit bie në nivelin më të ulët

Sipas rezultateve të sondazhit Emnid të botuar në të përditshmen gjermane Bild Am Sontag, mbështetja për kristian-demokratët e kancelares Angela Merkel dhe partisë së tyre simotër Unionit të Kristian-Socialistëve, ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2006, duke rënë në 29 për qind krahasuar me 33 për qind sa ishte në zgjedhjet e shtatorit.

CSU-ja përballet me zgjedhje të vështira rajonale në tetor, me sondazhet që tregojnë se ajo mund të humbë shumicën absolute në Bavari.

Socialdemokratët ndërkohë, të cilët ndajnë pushtetin me konservatorët në koalicionin e Merkelit, nuk arritën të përfitojnë nga këto humbje, duke rënë edhe ata në vetëm 18 për qind.

Alternative për Gjermaninë, ndërkohë mbetet në 15 për qind derisa të Gjelbërit janë rritur në 14 për qind, që është përqindja më e mirë për ta këtë vit, sipas të përditshmes gjermane.

Emnid gjithsesi nuk ka dhënë sqarime për këto ndryshime në përqindje.

Rreth një muaj më parë, koalicioni i Merkelit ishte në prag të shembjes për shkak të dallimeve të mëdha mbi politikat e emigracionit me partnerët e saj bavarezë të cilët dëshironin kontrolle më të ashpra kufitare, të cilat kancelarja Merkel i refuzonte.

Gjithsesi një kompromis shpëtimi i koalicionit u arrit në fillim të korrikut, por tensionet mbi këtë çështje megjithatë qëndrojnë./21Media