‘Masë Edukative’ Për të Miturën që Donte të Shkonte në Siri

Një trup gjykues nga Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën edukative prej një viti të mirutës A.S. e cila u kap nga policia përderisa synonte ta kalonte kufirin e Kosovës në rrugë drejt Sirisë.

A.S. nga komuna e Vitisë, më 28 mars të vitit të kaluar bashkë me shoqen tashmë të ndjerë Q.Z. u arrestuan në flagrancë në vijën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, duke e kaluar kufirin në mënyrë ilegale, në mënyrë që nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan të udhëtojnë për në Republikën e Turqisë dhe pastaj të vazhdojnë rrugën për në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata thotë se me anë të këtij veprimi, ajo kishte kryer veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist, të sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.

Në kuadër masës së shqiptuar, sipas njoftimit të lëshuar nga gjykata, përfshihet mbikëqyrja e shtuar nga ana e organit të kujdestarisë në përpjekje për të siguruar largimin e saj nga çfarëdo ndikimi negativ dhe ofrimin e zgjidhjeve të mundshme për ndonjë problem që mund të shfaqet në jetën e të miturës.