Foto: Facebook

Maloku: Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë Ilegale

Ish-anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Fadil Maloku, tha se votimet e Serbisë në Kosovë janë ilegale dhe se ato e cenojnë territorialitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Maloku ka thënë për KALLXO.com se zgjedhjet serbe në Kosovë po e dëshmojnë që Kosova akoma nuk po mund të mëvetësohet.

Sipas tij, serbëve kosovarë po i jepet mundësia që të votojnë për liderët dhe partitë politike në Serbi, ndërkaq shqiptarëve të Luginës nuk po u jepet e njëjta e drejtë që të votojnë në Kosovë.

“Nuk përdoret kodi i reciprocitetit. Ndërkaq kryeministri deklaron që në Kosovë nuk ka zgjedhje, por zgjedhjet bëhen vetëm përmes OSBE-së”, shton ai dhe thekson se nëse OSBE-ja bën grumbullimin edhe kjo në fakt është ilegale, shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Malokut, Komisioni Qendror Zgjedhor është i vetmi organ kompetent i paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës që mund të organizojë, menaxhojë, kontrollojë, mund të grumbullojë votat e cilitdo subjekt apo komunitet në Kosovë.

Ndërkaq rreth asaj se a janë pika grumbulluese apo vendvotime, Maloku nuk ka asnjë dyshim. “Këto janë vendvotime, pasi që Kushtetua e Kosovës nuk e njeh termin e grumbullimit”, thekson ai.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me grumbullim për shkak që grumbullimin si term, si nocion, si koncept nuk e njeh Kushtetuta e Republika e Kosovës. Kjo është një shkelje flagrante që përdoret termi grumbullim a në fakt është vendvotim”, pohoi Maloku.

Sa i përket përdorimit të simboleve serbe në qendrat ku serbët e Kosovës po votojnë për zgjedhjet, Maloku tha se pikërisht për këtë shkak është larguar nga KQZ-ja nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.

“Unë e kam paguar këtë çmim me aktin e largimit tim nga presidentja e zarfit që nuk kam pranu që të hiqen simbolet shtetësisë së Kosovës apo të pranohet t’i bëhet një konsensus Serbisë në mënyrë që serbët e Kosovës të hyjnë  në votime si kusht që ishte”, tha ai.

Tash sipas tij po shihet që serbët që janë qytetarë të Kosovës po e deligjitimojnë këtë lojalitet dhe këtë përfaqësim që e  kanë në Republikën e Kosovës.

Kjo sipas Malokut, po i bie që qytetarët dhe Serbia është duke e përgatitur ndarjen e Kosovës.