Madeleine Albright. Foto: Facebook

Madeline Albright: Na Ndan Oqeani, Por Qytetarët e Kosovës i Kam në Mendje

Ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit dhe mikja më e madhe e Kosovës, Madeline Albright, me anë të një video mesazhi ka uruar qytetarët e Kosovës për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Albright ka thënë se Kosovën dhe qytetarët e saj i ka gjithmonë në mendje pavarësisht siç ka theksuar ajo i ndan oqeani.

“Saherë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është  ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë Euro-Atlantike”, ka thënë Albright.

Sipas ish-sekretares Albright, dëshira e saj e madhe është që Kosova të vazhdoj të zhvillohet në mënyrën e duhur.

“Por, për shkak të dashurisë sime të veçantë për Kosovën, kam dëshirë të flaktë t’ju shoh se po përparoni dhe po zhvilloheni në mënyrë të duhur. Përvoja më ka mësuar se zhvillimi politik dhe ai ekonomik janë të pandashëm. Pra, mënyra më e mirë drejt zhvillimit është përtrirja e përkushtimit ndaj demokracisë, duke mbajtur në  mend se sundimi i shumicës varet nga të  drejtat e pakicës. Përparimi dhe ndryshimi asnjëherë nuk janë të lehta dhe nuk ka mostër apo rrugë të përkryer drejt suksesit”, ka thënë Albright përmes video mesazhit.

Ajo ka uruar qytetarët e Kosovës, duke thënë se beson dhe premton se do të bëj çmos që ti ndihmoj Kosovës t’ia dal mbanë.

“Gëzuar 10 vjetorin! Do të jemi pranë jush. Punoni me zell!” #Kosova10”, ka thënë në fund Albright.

Kosova nesër shënon dhjetëvjetorin e saj të pavarësisë.

Pak më parë edhe Gjenerali Wesley Clark përmes një video mesazhi ka uruar qytetarët e Kosovës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.