Ilustrim

LVV: Çdo vendim të Haradinajt do ta dërgojmë në Kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje e ka “kërcënuar” Kryeministrin në largim se do i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese secilin vendim të Qeverisë.

Vetëvendosje pretendon se Qeveria nuk ka të drejtë të thërras mbledhje dhe të marrë vendime pas dorëheqjes së Kryeministrit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka njoftuar sot gjatë ditës se do t’i kontestojnë në Gjykatë Kushtetuese secilin vendim të Qeverisë.

“Qeveria që ka rënë, nuk ka të drejtë të thërras mbledhje dhe të marrin vendime. Secilin vendim, do t’a kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse është jokushtetues por jo vetëm sepse kjo do të ketë pasoja edhe penale”, ka shkruar Albulena Haxhiu.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë dyshime për thirrjen e mbledhjeve qeveritare dhe marrjen e vendimeve, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën e kaluar pas ftesës nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale.

Ai është ftuar për intervistë të mërkurën ndërsa gjatë intervistimit ka thënë se është mbrojtur në heshtje.